Kosovë-Serbi,jo bisedime për trashëgiminë kulturore

Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e UNMIK-ut për një takim të përbashkët me Beogradin, ku do të diskutohej për çështjet e trashëgimisë kulturore. UNMIK-u ka konfirmuar se ka ftuar të dy qeveritë, atë të Beogradit dhe Prishtinës, që të martën të ulen dhe të diskutojnë për çështjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore dhe fetare ortodokse serbe në Kosovë. Por Ministria e Kulturës në Kosovë ka konfirmuar se pala kosovare nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Sipas kësaj Ministrie, qeveria e Kosovës ka parashikuar një angazhim të saj në këtë fushë dhe nuk e sheh të arsyeshme që axhenda të dyfishohet, duke përfshirë aty edhe Beogradin si palë. "Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk do të marrë pjesë në takimin e së martës, sepse do të ishte një dublifikim i takimeve, të cilat ne tashmë i kemi iniciuar. Ne kemi themeluar forumin për trashëgiminë kulturore, ku diskutohen të njëjtat tema", shprehen zyrtarë të Ministrisë kosovare të Kulturës. Nga ana tjetër, zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusëll Geki, thotë se administrata e Kombeve të Bashkuara i ka ftuar të dyja qeveritë në këto bisedime. Por, sipas tij, nga asnjëra palë nuk ka marrë konfirmime. Takimi i së martës ishte ftuar nga UNMIK-u me kërkesë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Sipas planit 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, Prishtina dhe Beogradi do të përfshiheshin në bisedime për gjashtë fusha, ku bëjnë pjesë policia, gjykatat, doganat, trashëgimia kulturore, transporti e telekomunikacioni, si dhe menaxhimi i vijës kufitare. Mirëpo, Prishtina e ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve me Beogradin në këto fusha, duke propozuar se dy shtetet mund të dialogojnë vetëm për çështje të interesave reciproke dhe atë vetëm si dy shtete dhe palë të barabarta.