Itali,marrin fund debatet,Eluana u shua

Itali, ora 20:10 minuta e mbrëmjes të së hënës. Ndalet zemra e gruas që qëndroi për 17-të vjet në gjendje kome në qytetin e Udines. Eluana Englaro vdiq. Ajo jetoi me tuba për vite me radhë pas një aksidenti në vitin 1992. Eluanës iu hoq ushqimi dy ditë më parë. Ditët e fundit pati një përplasje mes kryeministrit dhe presidentit italian për vendimin nëse duhet t'i hiqeshin apo jo tubat që e mbanin atë gjallë. "Zoti i faltë ata që e kanë çuar atë në këtë pikë". Ky ishte komenti i parë i ministrit të Shëndetësisë të Vatikanit Havier Lozano Barragan, pas vdekjes së Eluana Englaros. Senati italian ka ndërprerë punimet menjëherë pas lajmit se jeta e Eluanës ishte shuar. Presidenti i parlamentit Renato Skifani i ka kërkuar deputetëve dhe senatorëve të mbajnë një minutë heshtje për të. Ndërkohë që kryeministri Silvio Berluskoni ka deklaruar se vdekja e Eluanës i ka shkaktuar dhimbje të madhe. "Është për të ardhur keq, pasi qeveria bëri të pamundurën që të shpëntonte një jetë", tha shefi i qeverisë italiane. Ndërkohë që ka qënë anestezisti Amato de Monte ai që i ka telefonuar të atit të Eluanës, Bepino Englaros për vdekjen e së bijës. "Po na la. Por nuk dua të jap asnjë koment. Dua të qëndroj vetëm", ka qënë komenti i parë dhe i vetëm i babait të vajzës menjëherë pas lajmit të keq.