Kosovë, Shala: Temën e Veriut ta trajtojmë me ndërkombëtarët

“Prishtina duhet të bëhet gati që temën e veriut, ta trajtojë si duhet me faktorin ndërkombëtar”. Kështu është shprehur nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, i cili ka vlerësuar se sa i përket veriut të vendit, duhet të thuhet se është një hap përpara, pr ajo që nisi më 25 korrik, mbeti në gjysmë.
Tashti, kur Kosova, sipas Shalës, ka prani simbolike të doganierëve e policëve kufitarë në pikat 1 dhe 31, është e rëndësishme të koordinimi i plotë mes Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.
“Pra, kemi një arritje, por gjithsesi duhet të mos kemi iluzion që me këtë është kryer puna. Na pret një punë e madhe. Mendoj që Beogradi është i vetëdijshëm që çështja e portave 1 dhe 31 është e pakthyeshme, por dëshiron të mbajë kontroll midis urës së veriut të Mitrovicës dhe portave 1 dhe 31, duke thënë se për këtë territor duhet të bisedohet, jo më për kufijtë Kosovë-Serbi. Megjithatë, aty-këtu, ende dëgjohen ide për ndarje të Kosovës”, u shpreh ai. Shala thekson se para së gjithasht, Kosova duhet të refuzojë insistimet e Beogradit që në fund të shtatorit të bisedohet për regjimin kufitar në portat 1 dhe 31.
“Duhet të bëhemi gati që temën e veriut ta trajtojmë si duhet me faktorin ndërkombëtar. Është një problem real, e dimë. Ka filluar shtrirja e sovranitetit, jo nga veriu i Mitrovicës, por prej portave 1 dhe 31 në drejtim të Mitrovicës. Mendoj që pozicioni ynë duhet të jetë ai, i cili është shprehur publikisht, por duhet të shprehet edhe privatisht, edhe konfidencialisht që Ahtisari, gjegjësisht propozimi i presidentit Ahtisari, është solucioni i vetëm dhe i mjaftueshëm”, nënvizoi Shala.