Kosovë-Shqipëri, detajet e miqesores kuq e zi

Kushtrim KRASNIQI (Prishtinë, 15 shkurt)- Edhe pse ishte paralajmëruar se emërorja e futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen e 17 shkurtit ndaj Shqipërisë do të publikohet vetëm një ditë para ndeshjes, përzgjedhësi Albert Bunjaki u tregua më ‘zemërgjerë’ duke shpallur listën prej 22 futbollistëve të hënën. Kështu, publikimi i listës i disa ditëve më parë nga gazeta Tribuna Shqiptare, solli ndryshime të vogla, të cilat erdhën kryesisht pas lëndimeve të lojtarëve. Pavarësisht lëndimit të futbollistit më të mirë për vitin e kaluar, Mentor Zhdrella, skuadra e Hysit prinë me më së shumti lojtarë. Enis Zabërgja, Yll Hoxha e Fisnik Papuqi përfaqësojnë nënkampionin vjeshtor. Ndërkohë, Bunjaki do të ketë në dispozicion shtatë futbollistë jashtë vendit, katër prej të cilëve vijnë nga rajoni. Së fundi është ftuar edhe talenti i Istrës së Kroacisë, Gjergj Bushaj, ndërsa Shpëtim Hasani (Norkoping), Arsim Gashi (Mariehamn) dhe Anel Rashkaj (Halmstad), janë treshja që vijnë nga Ligat jashtë rajonit. Bunjaki mungesën e lojtarëve të tjerë jashtë vendit e ka arsyetuar me obligimet e tyre ndaj klubeve. “Të ftuarit nga Rajoni, më japin mundësi të shoh për së afërmi formën e tyre, ndërsa ata që nuk janë ftuar, do të ftohen në takimet tona të ardhshme, sepse ende jemi në fazën e testimit të lojtarëve”, - ka thënë Bunjaki në një konferencë për shtyp. Ai vonesën e publikimit të listës e arsyetoi me mosdefinimin e ardhjes së lojtarëve. Ai ka ftuar edhe dy lojtarë rezervë nga Liga e Parë, Dritëro Dabiqaj (2 Korriku) dhe Lindrit Misini (Trepça ’89). Pos Zhdrellës, për shkak të lëndimit do të mungojnë edhe Alban Dragusha (Besa Kavajë) dhe Bardhyl Kaqiu (Trepça). Përfaqësuesja e Kosovës grumbullimin e parë me futbollistët do ta bëjë të martën. Përgatitja e parë mbahet në 14:00 në stadiumin e KEK-ut.
Gjithçka gati
Ndërkohë, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri ka bërë të ditur se janë bërë përgatitjet e fundit për zhvillimin e takimit. Ai u ka bërë thirrje të gjithëve që ta bëjnë sa më madhështor këtë takim. “Është ndeshje humanitare ku të ardhurat do të shkojnë për familjet e prekura nga vërshimet në Shkodër, andaj besoj se të gjithë se bashku do ta bëjmë festën e pavarësisë edhe më madhështore”, - tha Vokrri. Ndërsa, Visar Miftari, drejtor i Kompanisë “Albanian Group”, e cila ka marrë përsipër organizimin e ndeshjes u ka bërë thirrje tifozëve që në mënyrë masive të vijnë të mërkurën në stadiumin e Prishtinës. Sipas tij, biletat janë hedhur në treg në të gjitha qytetet e Kosovës. Cmimi i nje bilete kushton 2 euro, ndersa ne treg jane hedhur 20 mije te tilla.
Lista e Kuzhes
Edhe përzgjedhësi i Shqipërisë, Josip Kuzhe ka publikuar të hënën listën me 18 lojtarët e ftuar për ndeshjen kundër Kosovës. Kuqezinjtë në Prishtinë vijnë me lojtarët më të mirë të Kampionatit Shqiptar, ndërsa emrat që vlen të përmenden nga përzgjedhësi Kuzhe, dhe që janë edhe pjesë e Kombëtares A, janë: Andi Lila (Tirana), Franc Veliu e Odise Roshi (Flamurtari), Gjergji Muzaka (Tirana), Emiliano Vila e Elis Bakaj (Dinamo). Kuzhe ka ftuar edhe Hamels Hoxhan e Iraklisit të Greqisë. Takimi Kosovë - Shqipëri zhvillohet të mërkurën në stadiumin e Prishtinës, dhe fillon në 14:00.
Ministri Xhaferri në Kosovë
Delegacioni i Shqipërisë, i cili të mërkurën do të arrijë në Prishtinë, përbëhet nga 61 persona. Pos drejtuesve të FSHF-së, e një numri të madh gazetarësh, në Kosovë do të vijnë edhe zyrtarë të ministrisë së Sportit me në krye ministrin, Ferdinand Xhaferi.
Kosova
Portierë: Valmir Bytyçi (Besa), Kushtrim Mushica (Vëllaznimi), Dritëro Dabiqaj (2 Korriku).
Mbrojtës: Yll Hoxha e Fisnik Papuqi (Hysi), Liridon Peci (Vllaznia), Roland Duraku (Liria), Robert Gjeraj (Vëllaznimi), Liridon Kukaj (Gramozi)
Mesfushorë: Driton Krasniqi (Shkumbini), Virtyt Hashani (KEK), Anel Rashkaj (Halmstad), Behar Maliqi (Prishtina), Ilir Nallbani (Vllaznia), Dukagjin Gashi (Drenica), Gjergj Bushaj (Istra).
Sulmues: Florent Sejdiu (Trepça), Enis Zabërgja (Hysi), Arsim Gashi (IFK Mariehamn), Shpëtim Hasani (IFK Norkoping) dhe Faton Zejnullahu (Prishtina).
Përzgjedhës: Albert Bunjaki
Shqiperia
Shpetim Mocka (Flamurtari), Ilion Lika (Kastrioti), Andi Lila (Tirana), Arjan Pisha (Dinamo), Franc Veliu (Flamurtari), Ditmar Bicaj (Tirana), Hamels Hoxha (Iraklis), Nertil Ferraj (Dinamo), Gentian Muca (Dinamo), Sabien Lilaj (Tirana), Jetmir Sefa (Tirana), Gjergji Muzaka (Tirana), Emilian Vila (Dinamo), Emiljano Veliaj (Laçi), Sokol Cikalleshi (Besa), Elis Bakaj (Dinamo), Bekim Bala (Vllaznia), Odise Roshi (Flamurtari).
Përzgjedhës: Josip Kuze
Një vit më parë
Prishtina-Dinamo 1-1
Më 17 shkurt 2009, kampionia e Kosovës, Prishtina, dhe ajo e Shqipërisë, Dinamo, barazuan në Prishtinë 1-1. Miqësorja ishte një homazh për një vjetorin e Pavarësisë së shtetit më të ri në Europë, Kosovës. Takimi nisi e përfundoi me duartrokitje të publikut e përqafime midis lojtarëve, të cilët dëshmuan në praninë e presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, por edhe të dy presidentëve të federatave respektivë të futbollit, Fadil Vokrit të FFK-së dhe Armand Dukës së FSHF-së, jo vetëm “Fair-Play”, se janë skuadra të një kombi ende edhe për pak kohë të ndarë. Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, shënoi e para me anë të sulmuesit argjentinas Ruben Oscar Çeko në minutën e 63-të, i cili mposhti portierin e Prishtinës, Feim Statovci nga një distancë shumë e afërt. Goli i parë i një argjentinasi në një stadium të Kosovës. Kampionia e Kosovës, Prishtina, e drejtuar nga Afrim Tovërlani barazoi me anë të zëvendësuesit Tahir Ademi në minutën e 80-të me një goditje brenda zonës së vogël së Dinamos.
Prishtina-Dinamo 1-1
E martë, 17 shkurt 2009
Stadiumi i Prishtinës, shikues 15 mijë.
Gjyqtarë: Hasani, Fejzullahu e Krasniqi
PRISHTINA: Statovci, Idrizi, Shabani, Krasniqi, Kozhani, Hoxha, Ahmeti, Baliqi, Hyseni, Skeraj dhe Fetahu (u inkuadraun në pjesën e dytë edhe: Blakqori, Haliti, Humolli, Ademi, Mazrekaj dhe V. Krasniqi. Trajner Afrim Tovërlani
DINAMO: Kotori, Sina, Daja, Pisha, Bodrusiq, Poçi, Nezaj, Bakaj, Graniç, Romero dhe Cheko (u inkuadruan: Hoxha, Hasa, Delia, Hasi dhe Memushi. Trajner Shkëlqim Muça
Burimi: Albania-sport.com
E Hene, 15 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili