Rudi Vata: Do bëj aleancë kundër Dukës

Rudi Vata ka konfirmuar edhe njëherë se do të kandidojë për postin e presidentit të FSHF-së, në zgjedhjet që do të mbahen më 9 mars të këtij viti. Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, i ftuar në “Ora news”, ka lëshuar sërish kritika në adresë të kreut aktual të federatës, Armand Dukës, duke thënë se ai duhet të largohet, pasi futbolli shqiptar po vuan nga probleme të mëdha, përgjegjës kryesor i të cilave është pikërisht Duka. Ai ndërkohë është shprehur i hapur për të bërë aleanca dhe për të bashkuar votat opozitare, me qëllim që Duka të largohet nga FSHF-ja dhe në vend të tij të vijë një njeri që mund të bëjë shumë më tepër në këtë sport.
Projekti
Vata ka thënë se nëse fiton zgjedhjet më 9 mars, do të përkushtohet maksimalisht për të përmirësuar infrastrukturën e futbollit, ku të rinjtë të kenë mundësi që të rriten të shëndetshëm dhe të përgatiten si duhet. “Infrastruktura është problemi më i madh në futbollin tonë dhe nëse unë do të drejtoj FSHF-në, pas zgjedhjeve të 9 marsit, atëherë do të përpiqem që ta zgjidh sa më shpejt këtë problem”, - ka thënë Vata.
Paratë
Sipas ish-kapitenit kuqezi, FSHF nuk ka ditur të ndërtojë marrëdhënie me qeverinë shqiptare, për t’i shërbyer futbollit. “Unë nuk mund të hyj në detaje për sa i përket konfliktit shtet-FSHF, por ama ajo që di të them është se me një bashkëpunim më të mirë të të dyja palëve, sigurisht që do mund të ketë më shumë përfitim futbolli. Unë jam i bindur se do të arrij që t’i bind qeveritarët që të mund të investojnë më tepër për futbollin. E konsideroj veten një shërbëtor të futbollit dhe do të përulesha nëse do të lindte nevoja për të zhvilluar këtë sport në vendin tonë”, - është shprehur 41-vjeçari.
Rregullat
Vata ka thënë se do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë edhe rregullave kundër dhunës. “Shpeshherë shoh edhe akte aspak sportive që vijnë nga njerëzit me pushtet, por për këtë duhet të ketë rregulla të qarta. Jam i bindur se kur njerëzit të kuptojnë që federata do t’i zbatojë e para rregullat, atëherë do të jenë edhe më të ndërgjegjshëm. Gjithsesi, unë do të kërkoj që të respektohen gjithnjë ligjet. Personalisht, nëse fitoj do të jem gjithnjë i pranishëm në zyrën e punës dhe nuk do të shkoj vetëm dy herë në muaj, ashtu sikundër ndodh tani me presidentin aktual”, - ka deklaruar ish-kapiteni.
Aleancat
Armand Duka konsiderohet si favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje dhe kjo për shkak edhe të eksperiencës së tij në këtë post, por edhe për faktin se ka marrëdhënie mjaft të mira me një pjesë të konsiderueshme të klubeve. Megjithatë, ka shumë nga ata që janë kundër rizgjedhjes së tij. Në lidhje me këtë, Rudi Vata ka deklaruar se do të ishte i gatshëm për t’i shërbyer futbollit dhe për të sjellë sipas tij, njeriun e duhur në krye të FSHF-së, ai do të ishte gati të sakrifikonte edhe kandidimin e tij. “Nëse do të lindë nevoja, që për të bashkuar votat opozitare, të bëjmë sakrifica, atëherë unë jam i gatshëm të bashkëpunoj edhe me faktorë të tjerë. Nëse projektet që ata paraqesin dhe nëse figurat që do të propozohen do të më bindin se janë të denja për të drejtuar FSHF-në dhe për të larguar Dukën, atëherë padyshim që do të bëja një kompromis. Kemi diskutuar me disa persona të tjerë (ndër ta edhe Halili) dhe do ta shqyrtojmë me kujdes edhe këtë variant. Personalisht ndihem fitimtari moral në këto zgjedhje, sepse futbollit i kam shërbyer gjithnjë me pastërti”, - ka thënë Vata.
Tirana
Pavarësisht se Vata ka marrëdhënie të shkëlqyera me presidentin aktual të Tiranës, Refik Halilin, ai ka thënë se nuk ka ndërmend t’ia falë paratë Tiranës, nëse fiton gjyqin që na nisur në vitin 2004 me këtë klub. “Nëse fitoj gjyqin, unë do të marr vetëm atë që më takon dhe asgjë më tepër”, - është shprehur ai.
Duka
“Duka nuk ka se çfarë t’i japë më futbollit shqiptar. Rezultatet e viteve të fundit kanë dëshmuar se ai ka dështuar dhe se përgjegjësia kryesore e problemeve të mëdha që ka futbolli ynë, janë pa diskutim përgjegjësi e Dukës. Unë garantoj se në të ardhmen do të mund të përfitojmë një buxhet më të madh edhe nga qeveria”, - ka thënë Vata.
Licenca
Për të kandiduar si president i Federatës Shqiptare të Futbollit, Rudi Vata duhet të heqë dorë nga licenca e menaxherit të FIFA-s. “Po, jam gati ta bëj një gjë të tillë. Unë nuk i trembem asnjëherë konkurrencës”, - ka pohuar Vata. Ai ka thënë se do të bashkëpunojë edhe me figura të njohura të Kombëtares si Bledar Kola dhe Igli Tare.
16 skuadra
Nëse Rudi Vata do të jetë presidenti i ardhshëm i FSHF-së, Kategoria Superiore mund të përbëhet nga 14 ose 16 ekipe. “Dëshiroj shumë që të shoh në elitën e futbollit skuadra të mëdha si Partizani, Elbasani, Lushnja edhe Bylisi”, - është shprehur ai.
Burimi: Albania-sport.comE Hene, 15 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili