Leskaj: Draft integral për ligjin për mediat
Tiranë- Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, duke deklaruar se kreu i qeverisë po abuzon me pushtetin, ka theksuar se sot se nevojitet një draft integral për ligjin për mediat, me asistencën edhe të ekspertëve të huaj.
“Si kryetare e Komisionit Parlamentar, për mediat, jam ndër nismëtaret dhe nxitëset për të hartuar një ligj integral për mediat elektronike, duke rakorduar me BE dhe Këshillin e Europës për standartet e ligjit. Risjellja e çështjes së lirive të medias dhe lirive e të drejtave të njeriut është një kosto e madhe për proceset integruese”- tha ajo, duke sjellë në kujtesë propozimet e bëra një ditë më parë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ajo theksoi se Rama bëri disa propozime që mund të bëhen pjesë e ligjit në proces, që saktësojnë qartë kur dhe se si subjektet politike institucionet apo OJF-të, mund të transmetojnë spote.
Leskaj i ka quajtur qesharake justifikimet e dhëna, që fajin për abuzimin e Këshillit të Ministrave me ligjin dhe lekët e shqiptarëve ia hedhin opozitës. “Është fatkeqësi, që pas deklaratave që Z. Berisha ka bërë ditët e fundit për konsensuse, nëse ato janë të vërteta, propozimit të z.Rama për nevojën e përmirësimeve ligjore, ju përgjigj qeveria me një të pavërtetë banale lidhur me fatin e ligjit për mediat elektronike në Kuvend”- tha ajo, duke shtuar se fakti që Berisha ka shkelur ligjin me spotin e bërë dhe po ashtu edhe KKRT-ja për gjobën e vendosur.