Pogradec, arrestohet për korrupsion tatimori
Pogradec- Akuza për korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës ka vënë sot në pranga një 29-vjeçar, inspektor tatimor pranë degës së tatimeve Pogradec.
Sipas policisë, arrestimi i shtetasit Gavrosh Papa u bë nga departamenti për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit. “I arrestuari, lindur e banues në Pogradec, me arsim të lartë ekonomik ka qenë me detyrë inspektor tatimor pranë degës së tatimeve Pogradec”- thanë burimet zyrtare të policisë.
Sipas të njëjtave burime, arrestimi i tij, u bë për veprën penale të “korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike”, parashkuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Nga hetimet paraprake, të kryera me metoda speciale ka rezultuar se shtetasi Gavrosh Papa, duke shfrytëzuar detyrën i ka bërë presion një subjekti për t’i krijuar lehtësira tatimore kundrejt përfitimit prej 400 mijë lekësh.
Materialet ndërkaq i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë, si dhe po hetohet për të dokumentuar veprimtarinë e kundraligjshme të këtij shtetasi.