Kosovë, Thaçi dëshiron zgjedhje të parakohshme!
Sipas disa mediave në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi, është duke e përgatitur skenarin që qeveria e tij të rrëzohet në Kuvendin e Kosovës, vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, dhe qytetarët të përballen me dy palë zgjedhje zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje lokale njëkohësisht.
Një burim ndërkombëtar i ka thënë se kanë informacione se kreu i qeverisë së Kosovës është duke punuar për rënien e qeverisë, por është në dilemë se si mund ta bëjë këtë sa më lehtë, dhe e gjithë kjo të mos dëmtojë kredibilitetin e tij.
E kemi nuhatur se Thaçi po mendon opsionin që gjatë këtij viti në Kosovë të ketë zgjedhje parlamentare. Ai po mendon që qeveria të rrëzohet në Kuvend, ashtu siç pati bërë më parë me AKR-në, e cila pati ngritur mocion të votëbesimit për qeverinë e atëhershme. Kryeministrit i intereson që rënia e qeverisë të mos i shkaktojë atij humbjen e zgjedhjeve të ardhshme. Kjo është dilema e vetme që ka ai, ka thënë ky burim.
Zgjedhjet e fundit janë mbajtur në vitin 2010, ku Thaçi është rizgjedhur kryeministër.
Ndërkaq, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, mandati i deputetit dhe i qeverisë zgjat katër vjet, periudhë kjo pas së cilës mbahen zgjedhjet e reja parlamentare.