Kosovë, Thaçi kërkon kthimin e Kuçit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi që të kthehet në detyrën e zëvendëskryeministrit, si dhe të ministrit të Drejtësisë.
Kuçi ka dhënë dorëheqje nga të dyja postet pas miratimit në Kuvend të Kodit te ri Penal, në të cilin përfshiheshin tre nenet problematike për punën e mediave.
"Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka shqyrtuar shkaqet e dorëheqjes së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të drejtësisë, Hajredin Kuçi, më datën 22 qershor, dhe konstaton se shkaqet që kanë dërguar deri te dorëheqja tanimë nuk ekzistojnë. Kryeministri Thaçi fton zëvendëskryeministrin Kuçi që të vazhdojë me përkushtim dhe përgjegjësi në ushtrimin e funksioneve që ka mbajtur deri më tani në Qeverinë e Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatë.
Kuvendi i Kosovës ka vendosur përfundimisht më 5 korrik të heqë nga Kodi Penal nenet 37, 38 dhe atë 39, që kanë të bëjnë me penalizimin e mediave dhe gazetarëve.
Ndryshimet në Kodin Penal u vunë në rend dite me shumicë votash duke iu shmangur procedurave të rregullta.
Për dallim nga seanca kur PDK-ja nuk kishte lejuar heqjen e këtyre neneve, kësaj radhe ishte pikërisht kjo parti politike ajo që inicioi ndryshimin e Kodit Penal, ende pa hyrë në fuqi.
Ndonëse vendimi ishte në parim, me votimin e dytë që pritet në seancën e radhës, do të shënohet hera e parë që Kuvendi i Kosovës ndryshon një Ligj apo Kod ende pa hyrë në fuqi.