Kosovë, Thaçi pranon vërejtjet e KE-së për korrupsionin dhe krimin e organizuar
PRISHTINË - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar vërejtjet e bëra në raport- progresin e Komisionit Europian. “Raportin e KE-së e pranojmë si vlerësim real për gjendjen e vendit” – tha ai sot para mediave. Sipas tij është e vërtetë që korrupsioni është i lartë dhe ka probleme në të gjitha fushat e tjera jetësore. Ai ka premtuar që qeveria e tij do të angazhohet më shumë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmbushjen e objektivave të BE-së.
Duke prezantuar qëndrimet e qeverisë rreth Raportit të Progresit të Komisionit Evropian kryeministri Thaçi tha se “ai është mundësi për ta vlerësuar rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian dhe mundësi që institucionet e Kosovës te ndërmarrin veprime në përputhje me kriteret për anëtarësim”.
“Është synim i Kosovës që të jetë shtet funksional, demokratik dhe i ndërtuar mbi bazën e kritereve të anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe të jemi shtet konkurrues dhe anëtarësimi të jetë i merituar”, theksoi ai.
“Raporti i Progresit është shqyrtuar me kujdes dhe është pranuar nga qeveria si vlerësim real për gjendjen në Kosovë në periudhën tetor 2007 – tetor 2008 dhe rekomandimet do të jenë udhërrëfyese dhe të implementueshme nga institucionet e Kosovës”, tha Thaçi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe secili dikaster i saj veç e veç do ta shqyrtojë këtë raport edhe në një mbledhje të saj të veçantë, si dhe në takimin e radhës të Mekanizmit Përcjellës për Stabilizim-Asocimin që do të mbahet me 2 dhjetor, e ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e lartë të Komisionit Evropian”, paralajmëroi kryeministri.
“Shpreh konsiderata për hartuesit e këtij raporti dhe kontributin e institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile dhe mekanizmave ndërkombëtarë në këtë raport, ku edhe në angazhimet e mëtejme do të jemi partnerë”, tha Thaçi.
(O.Zh BalkanWeb)