E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Do punojmë për integrimin në BE

 

PRISHTINE- Kryetari i Kuvendit të Kosvës, Jakup Krasniqi është shprehur se institucionet e Kosovës do të punojnë për të shkurtuar kohën për integrim në të gjitha strukturat e Bashkimit Evropian.
Këtë deklaratë kryeparlamentari kosovar Krasniqi, e bëri pas takimit me Renzo Davidde, i cili ia dorëzoi atij raportin e Komisionit Evropian mbi përparimin në Kosovë. Raporti, në të cilin shënohen disa arritje, kritikon mjaft ashpër Qeverinë e Kosovës për ngecje në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe për një sistem ende të dobët gjyqësor e administrativ.

Megjithatë, kryeparlamentari Krasniqi tha se në raport ka edhe vlerësime pozitive dhe se ka nevojë për përmirësime në punën e institucioneve.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Renzo Davidde, tha se raporti i cili mbulon përparimet në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën, ka theksuar bindshëm bashkëpunimin e mirë ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Komisionit Evropian. Davidde tha se Komisioni Evropian është i përkushtuar që të ndihmojë Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Kryeparlamentari, Krasniqi theksoi rëndësinë që ka studimi i fizibilitetit të KE për Kosovën, që do të fillojë vitin tjetër. (a.r/rtk/balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›