Nostalgjikët e “heronjve të punës socialiste”.
Pas artikullit të botuar në të përditshmen Izvestija, në të cilin presidenti Putin i Federatës ruse shpaloste një projekt integrimi politik dhe ekonomik mes ish - republikave sovjetike, shumë analistë e kanë cilësuar Vladimir Putin si presidentin e përjetshëm. Në të vërtetë presidenti e quan një lloj Bashkimi Euro-aziatik, dhe kujton se nga 1 janari i ardhshëm do të fillojë të jetë aktive dhe do të funksionojë si Hapësirë Ekonomike mes Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Në fakt kjo ka ekzistuar si ide, që para dy vitesh kur Moska kërkonte t’i kundërvihej Organizatës Botërore të Tregtisë në të cilën Moska kërkonte të anëtarësohej. Sipas Putin, nuk kërkohet rithemelimi i Bashkimit Sovjetik dhe as të kopjohet ajo që ka mbetur nga e kaluara por kërkohet një integrim mbi baza ekonomike dhe politike. Sidoqoftë flitet për realitete të ndryshme, mes bjellorusëve, rusëve dhe kazakëve por në vitin e ardhshëm bashkimi doganor do të fillojë të heqë barrierat tregtare dhe të lëvizjes së kapitaleve mes tre shteteve. Kjo do të shërbejë ndërkaq edhe për anëtarësime të mëvonshme si mund të jetë ai i Ukrainës, që gjithsesi nuk ka shfaqur entuziazëm, entuziazëm që si kundërpeshë e kanë shfaqur vende si Kirgistani dhe Taxhikistani. Nostalgji për Bashkimin Sovjetik? Nostalgji për propagandën komuniste? Nostalgji për klasën punëtore me muskujt e fryrë nga propaganda komuniste, që shikonin larg drejt horizonteve proletare? Duket se po. Presidenca Ruse po kërkon diçka të ngjashme. Kërkon rehabilitimin e asaj figure punëtore që sipas tyre nuk ekziston më në Rusi. Jo më kot Putin, në një ndërhyrje të tij gjatë fushatës zgjedhore, shkruante në një gazetë tjetër moskovite se duhet të krijojmë një aristokraci të punëtorëve në Rusi. Duket se presidenti e ka marrë seriozisht. Në fakt ka ndërmarrë një nismë sipas së cilës do të përcaktohen punonjësit më të mire dhe padyshim më të dalluar sipas fushave dhe sektorëvë të ndryshëm. Nuk do të mungojnë muratorët më të mirë, saldatorët apo elektricistët për të përfunduar me punonjësit e makinave të rënda. Më të mirët do të fitojnë podiumet dhe për më tepër do të marrin edhe një çmim që arrin shifrën e 8 mijë eurove. Dikush tjetër më i zellshëm akoma kërkon që konkurrentët të jenë më të shumtë duke përfaqësuar edhe fushat e tjera. Lajmi është mirëpritur, aty - këtu, me shumë entuziazëm dhe punëdhënësit kanë qenë aktivë në përzgjedhjen e kandidatëve më të aftë për të marrë çmimet e ndryshme. Një proces që do të fillojë në qershor dhe do të shtrihet deri në tetor kur do të vijnë edhe emrat e fituesve të parë. Këta të fundit padyshim do t’i shtohen listës së “heronjve legjendarë” komunistë që në pak orë do të gërrmonin rreth 100 ton për t’u shndërruar në “heronjtë e punës socialiste”. Asokohe u fol shumë për ata “heronjtë”, të cilët përbënin sakaq një prej armëve kryesore të propagandës komuniste. Dikush prej tyre do të merrte ndonjë apartament banimi dikush tjetër ndonjë televizor pa ngjyra. Ndërsa tani do të jetë ndryshe. Fituesit do të marrin një shpërblim në para. Ndërkaq një gazetë tjetër ruse ka kujtuar se për të zgjidhur problemet e firmave që nuk arrijnë të gjejnë punëtorë të kualifikuar e krahason nismën e Putin me përvojat komuniste. Natyrisht vazhdon gazeta askush prej të rinjve rusë nuk do ëndërrojë të bëhet një “hero i punës socialiste”. “Aksionet tona kanë vetëm një qëllim, përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve rusë” - kështu ishte shprehur ndërkaq në fillim të marsit presidenti Putin. Është po ky president që i kishte përcaktuar si shumë reale planet e Qeverisë për mos të rritur moshën e pensioneve por që mbështeste me forcë një rritje të pensioneve në Rusi, që kishte premtuar rritje rrogash për mësuesit, mjekët .. Ndërkaq ishte shprehur gjatë fushatës zgjedhore se Rusia do të kishte një rritje nga 6 deri në 7% dhe se për vitin në vazhdim do të arrinte në 3,5%, se do rriste investimet e huaja në 25% të Gdp, pa harruar luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e një klimë më të mirë për biznesin. Investitorët e huaj kërkonin stabilitet të Rusisë dhe Putin po i premtonte dhe po i jepte këtë garanci. Natyrisht pritet ajo që do të ndodhë me të vërtetë në Rusi. Sepse është folur - më së shumti nga pasues të tij - se për ekonominë ruse zgjidhja më e mirë është Putin madje ka nga ata që përbetohen se Putin është i vendosur për të vazhduar në rrugën e liberalizimit të ekonomisë edhe pse në mënyrë graduale. Ka analistë të tjerë që e shohin situatën plot kaos dhe të pashpresë dhe sipas tyre presidenti e ka bazuar pushtetin e tij prej 12 vjetësh tek një elitë të cilën e ka nën komandën e tij.