E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimi i banesave, Qeveria shtyn amnistinë fiskale deri në muajin gusht. 20 prilli, “dita e Shqipërisë së pastër”

28-03-2012 / Gazeta 55

Fluksi i kërkesave për regjistrimin e shtëpive si dhe ardhja e emigrantëve gjatë sezonit turistik, bëjnë që qeveria të shtyjë edhe për disa muaj amnistinë për zërin "banesa", deri në datën 31 gusht

Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, shtyrjen e afatit të regjistrimit të banesave deri më datën 31 gusht. Sipas shefit të ekzekutivit kjo kërkesë bëhet e domosdoshme si pasojë e fluksit të madh në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme si dhe nga interesi shumë i madh i qytetarëve.
“Amnistia fiskale pati një rezultat të shkëlqyer, kjo pasi janë futur në treg pasuri të paluajtshme 171.7 miliard lekë. Vetëm në periudhën janar-shkurt, 20 mijë qytetarë kanë përfituar nga një proces i tillë, përveç bizneseve. Por ende shihet një dyndje e qytetarëve, duke krijuar radhë të mëdha pranë zyrave, mbi 800 mijë aplikime në ditë. Ndaj Ministria e Financave vetëm për zërin banesa ta zgjasë afatin gjer më datë 31 gusht”- u shpreh Berisha.

20 prilli, "Dita e Shqipërisë së pastër"
Mjedisi dhe mbajtja pastër e tij ishte një nga çështjet më kyçe në të cilat u përqendrua fjala e kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë. Në vlerësimin e kreut të ekzekutivit vendi ynë ka të përqafuara për mjedisin ligjet më të avancuara të kohës, por përpjekjet të janë të pamjaftueshme. “20 prilli të caktohet si dita e Shqipërisë së pastër ku të dalim së bashku dhe të pastrojmë qytetin, fshatin, rrugët. Të prekim me dorë mjedisin. Ministria e Mjedisit duhet të marrë të gjitha masat të përcaktojë të gjitha zonat, hartën e ndërhyrjeve dhe administrata shkollat, institucionet, komunitet në mbarë vendin do të angazhohen në këtë ditë për mjedisin”- u shpreh Berisha. Sipas tij, shoqëria civile ka paraqitur një datë tjetër për pastrimin e mjedisit, por premtoi se qeveria do ta mbështesë atë në këtë nismë që ka ndërmarrë. “Shoqëria civile ka përcaktuar një datë tjetër dhe i përshëndes dhe u kërkoj të gjitha institucioneve t’i japin mbështetjen totale nismës së tyre, kanë përzgjedhur 9 majin. I garantoj se do kenë vetëm mbështetje se do të jemi realist sikur çdo javë të bëhet ajo ditë nevojë ka ky vend në këtë gjendje që e kemi katandisur të gjithë”- tha kryeministri. Gjithashtu Berisha ka kërkuar forcim të ligjit për mbajtjen pastër të vendit, ndëshkim të ndotësve dhe vëmendje e madhe ndaj mbledhjes së taksës së pastrimit, si më e rëndësishmja që duhet mbledhur. Sipas tij, vendorët të bëjnë gjithçka për mbledhjen e saj se mjedisi nuk mund të mbahet pa resurset financiare të domosdoshme dhe rezulton se kjo taksë është fare e ulët. “Nuk mund të lejojmë që Shqipëria të paraqitet si një vend zhuli e plehrash. Nesër do takohem me prefektët e vendit, autoritetet e ministrisë së mjedisit për të marrë një seri hapash të reja në përcaktimin e vendeve të depozitimit të mbetjeve. Janë në ndërtim e sipër një seri landfilesh dhe impiantesh të ujërave të zeza, punimet e të cilave duhet të shpejtohen”- tha ai.

Qendra rajonale për diagnostikimin e hershëm të autizmit
Kryeministri Berisha tha gjithashtu sot në mbledhjen javore të Qeverisë se duhet të ngrihen qendra rajonale të diagnostikimit të hershëm të autizimit. Sipas kryeministrit, ky ka qenë një fenomen i injoruar nga strukturat përkatëse. “Duhet të ketë qendra rajonale të diagnostikimit të hershëm të autizmit. Sot janë krijuar module dhe teste të cilat bëjnë të mundur qartësimin, stadin, prekjen dhe ne duhet ti blejmë dhe të pajisim institucionet me to”- u shpreh Berisha. Autizimi tha kryeministri është një fenomen me spektër të gjerë, pasi ka forma të cilat janë shumë më komplekse se sa paraplegjia dhe këto forma nuk kanë trajtimin që duan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›