Ligjet, debate për Gjykatën Administrative. Alibeaj: Propozimet e PS nuk sjellin ndryshime të mëdha nga drafti fillestar

Mazhoranca dhe opozita përplasen për kontratat administrative dhe trupin gjykues
Komisioni i ligjeve vijoi sot diskutimin nen për nen të ligjit për Gjykatën Administrative. Ndërsa palët janë angazhuar për të realizuar një gjykatë të specializuar, për çështje të caktuara siç është ajo e kontratave administrative, është kërkuar kohë për diskutimin me ekspertët. Gjatë mbledhjes, Partia Socialiste ka kërkuar që në nenin 6 të draftit të propozuar nga qeveria, që flet për kompetencat lëndore të Gjykatës Administrative, të përfshihet edhe shqyrtimi i çështjeve që kanë në thelb kontratat administrative. Por mazhoranca ka argumentuar se këto çështje gjejnë terren ligjor dhe shqyrtohen nga Kodi i Procedurave Civile e për pasojë, bëhen pjesë e vlerësimit të gjykatave ekzistuese.
Pas debateve, për hir të vijueshmërisë së kompromisit politik, është vendosur shtyrja e shqyrtimit të këtij neni, pasi të jetë zhvilluar një konsultë më e gjerë ligjore. Gjithashtu, komisionerët e Ligjeve kanë debatuar edhe në lidhje me përbërjen e trupit gjykues, por pa gjetur konsensus. Pas rreth 3 vitesh ligji për gjykatën administrative është rikthyer në komisionet parlamentare për ty shqyrtuar nga deputetët, dhe më pas në bazë të marrëveshjes politike të kalojë në parlament. Ky ligj kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash.
Enkelejd Alibeaj
“Propozimet e ofruar nga Partia Socialiste mbi draftin e paraqitur nga qeveria për ngritjen e Gjykatës Administrative, nuk sjellin ndryshime të mëdha nga projektligji fillestar”. Kështu u shpreh sot anëtari demokrat i Komisionit parlamentar të Ligjeve, deputeti Enkelejd Alibeaj. Madje, ai sjell në vëmendje se ndryshimet e kërkuara nga socialistët nuk kanë diferencë edhe në raport me projektin i cili ishte gati të votohej në mars të vitit 2009, por që nuk u arrit për shkak të bojkotit parlamentar të opozitës.
Komisioni i Ligjeve ka nisur tashmë shqyrtimin nen për nen të projektligjit.
Komisioneri Alibeaj, duke marrë në konsideratë ecurinë e diskutimeve që bëhen në Komision, bën edhe një parashikim se kur drafti final mund të jetë gati për votim në seancë plenare.
Projektligji për Gjykatën Administrative, vlerësohet si tepër i rëndësishëm. Bojkoti që i bëri opozita miratimit të ligjit pranverën e vitit 2009, solli humbjen e 16 milionë dollarëve, ndihmë nga qeveria amerikane, qëllimi i të cilave ishte pikërisht ngritja e Gjykatave.