Kosovë, arrestohet një serb i dyshuar për vrasjen e një shqiptari

Policia e Kosovës ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb, pasi dyshohet për vrasjen e një 14-vjeçari shqiptar.
Sipas mediave kosovare Leutrim Musliu nga fshati Uglar i komunës së Gjilanit 14 vjeç u vra në rrethana të paqarta ndërsa bashkë me të atin po mbante dru nga një pyll i atij fshati. Ai u qëllua me armë zjarri ndërsa në të njëjtën kohë u vranë edhe kafshët që po tërhiqnin qerren ku ndodhej viktima.
Policia tha se në kuadër të hetimeve është arrestuar një pjesëtar i komunitetit serb nga fshati Pasjan i po të njëjtit rajon. I arrestuari është një 44-vjeçar, ndërsa nuk është bërë i ditur identiteti I tij.
Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe konfiksuar edhe armë e municione. Policia nuk ka dhënë hollësi të tjera rreth motiveve të mundshme të kësaj ngjarjeje.