Vritet një anëtar komisioni zgjedhor në Kosovë

Persona te panjohur kane vrare me arme zjarri Shefko Sallkoviçin, pjesetar i komunitetit boshnjak nga fshati Rvatska, komuna e Leposaviqit
Nga sulmi i personave të panjohur, në veri të Kosovës, është vrarë Shefko Sallkoviç, ndërsa është plagosur Edin Islamoviç, të dy punëtorë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Leposaviqit. Besim Hoti, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, thotë se hetimet janë në vazhdim e sipër dhe se ende nuk janë përcaktuar motivet e mundshme ose rrethanat e plota se si ka ndodhur sulmi. Ndaj këtij sulmi kanë reaguar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe misioni evropian EULEX.
Persona të panjohur kanë vrarë me armë zjarri Shefko Sallkoviçin, pjesëtar i komunitetit boshnjak nga fshati Rvatska, komuna e Leposaviqit. Lajmin e ka konfirmuar për radion “Evropa e Lirë” Besim Hoti, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, i cili ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në fshatin Postenje, në afërsi të Jarinës, vendkalimit kufitar midis Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësi Hoti ka shtuar se nga të shtënat me armë zjarri është plagosur edhe Edin Islamoviç, po ashtu pjesëtar i komunitetit boshnjak, i cili në kohën e sulmit ishte duke udhëtuar me makinë së bashku me të vrarin.
Hoti ka thënë se policia ende është duke bërë hetimet në vend të ngjarjes, lidhur me rrethanat e kësaj vrasjeje.
“Në momentin kur po flasim, ende i kemi njësitë policore në vend të ngjarjes, të cilat janë duke bërë detyrën e tyre, të hetimeve. Nuk i kemi ende të përcaktuara motivet e mundshme ose rrethanat e plota se si ka ndodhur, por, sidoqoftë, kjo mbetet të përcaktohet nga organet hetimore, në vazhdim”, - ka deklaruar Hoti.
I ndjeri Shefko Sallakoviç ka qenë trajnues në Komisionin Komunal Zgjedhor të Leposaviqit, ndërkaq Edin Islamoviç, anëtar i Komisionit Komunal Zgjedhor në Leposaviq.
Ndaj vrasjes së Sallkoviçit dhe plagosjes së Islamoviçit, ka reaguar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili e ka dënuar sulmin e sotshëm në Postenje.
Sipas zyrtarëve të KQZ-së, në kohën e sulmit, viktimat kanë qenë në orar të punës dhe me veturë zyrtare. Xhemajl Peçani, kryeshef i Sekretariatit të KQZ-së, kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë, që të zbulohen dhe të sillen para drejtësisë kryesit e krimit në Postenje.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dënon sulmin që ka ndodhur mbi punëtorët e Komisionit Komunal të Leposaviqit, ku si pasojë është vrarë z. Sallkoviç dhe është plagosur z. Islami. Kërkojmë nga organet e rendit dhe drejtësisë që kryesit e kësaj vepre të zbulohen dhe të sillen para drejtësisë. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së të ndjerit dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarit në këtë sulm nga njerëzit që nuk ia duan të mirën vendit”, - ka thënë Peçani.
Lidhur me këtë vrasje, ka reaguar edhe shefi i misionit EULEX në Kosovë, Ksavier But de Marnjak, i cili e “ka dënuar incidentin fatal të të shtënave, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur”. Ai ka bërë thirrje “për qetësi dhe sjellje të përgjegjshme nga të gjitha palët në këtë periudhë”, të cilën e ka quajtur “potencialisht të ndjeshme”.