E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramush Haradinaj lirohet përkohësisht nga Gjykata e Hagës

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi miratoi dje kërkesën e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për lirim të përkohshëm.

Në vendimin e gjykatës thuhet se atij i lejohet qëndrimi në Kosovë nga 17 dhjetori i këtij viti deri më 14 janar të vitit të ardhshëm. Gjatë asaj kohe, zoti Haradinaj duhet t’u përmbahet disa kushteve, mes të cilave edhe mospërfshirjen e tij në veprimtari politike dhe mosparaqitjet para mjeteve të informimit.

Zoti Haradinaj kishte kërkuar lirimin e përkohshëm për të qenë afër bashkëshortes, meqë çifti pret tash fëmijën e tretë. Më 21 korrik të këtij viti Gjykata e Hagës urdhëroi rigjykimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte. Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit të vitit 2008, e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj. Gjykata ka pranuar ankesën e prokurorisë, e cila ka pohuar se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t’i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të siguronte paraqitjen e dëshmitarëve kryesorë të rastit.

Në fillim të muajit shtator, Gjykata refuzoi kërkesën e zotit Haradinaj për lirim të përkohshëm, meqë, siç thuhej, lirimi do të mund të nxiste mbështetësit e tij që t’i frikësojnë dëshmitarët. Në vendim thuhej ndërkaq se Ramush Haradinaj nuk paraqet rrezik personal për sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave, por është pranuar argumenti i prokurorëve se lirimi i tij mund të tërheqë më tepër vëmendje të mediave, duke e shtuar atmosferën kërcënuese për dëshmitarët. Garancitë për lirimin e përkohshëm të zotit Haradinaj ishin dhënë edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian për Policinë dhe Drejtësinë.

Vendimi për rigjykim u mor më shumë se dy vjet pas lirimit të zotit Haradinaj si i pafajshëm nga kjo gjykatë. Në rigjykimin e pjesshëm, data e të cilit ende nuk është caktuar, do të trajtohen akuzat për vrasje, trajtim mizor dhe torturim të të burgosurve në shtabin e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë në Kosovën Perëndimore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›