Kosovë, fëmija i parë për 2012 është vajzë
Fëmija i parë që ka lindur në Kosovë në vitin 2012 është vajzë. Ajo është pagëzuar me emrin Enea. Vizitori i parë i saj ishte presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila veç urimeve, Eneas i solli edhe disa dhurata.
Fëmija erdhi në jetë vetëm dy minuta pas ndërrimit të viteve.
Lindja e parë është realizuar 2 minuta pas mesnatës te pacientja Bukurie Rama, e cila është bërë nënë për herë të parë në moshën 32 vjeçare. Ka lindur një vajzë të shëndosh me peshë trupore 3 kg e 800 gr. Lindja operative ka shkuar në rregull, gjendja e nënës është stabile dhe e fëmijës, ka thënë Naser Rafuna, shef i sallës së lindjes në repartin e Klinikës Gjinekologjike të QKUK-së.
Ndërkaq presidentja e Kosovës, pas vizitës që i bëri Eneas, tha se lindja është gëzimi më i madh që mund ta ketë një familje, pasi është,shpresa dhe besimi ynë.
Dua të ju përgëzoj për punën juve, personelit, Ministrisë së Shëndetësisë, tërë stafin që është sonte në kujdestari, sepse është një traditë që Presidenca e viziton QKUK-në çdo fund vit, e ka simbolikën e vet fëmija i parë që lind. Sepse lindja është gëzimi më i madh që gjithmonë një njeri, një familje e pret. Pasi që është vazhdim i vetvetes, është shpresa jonë, është besimi ynë. Nëna si duket qenka mirë, po ashtu edhe fëmija. Juve edhe një herë ju uroj punë të mbarë dhe suksese, ka thënë ajo. / Kosovapress