Kosovë, gjuhë e ashpër në fushatën elektorale
Fushata paraelektorale për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë ka hyrë në javën e dytë të saj dhe ajo po shoqërohet me shkelje edhe pse po monitorohet nga shumë mekanizma përfshirë edhe ato nga shoqëria civile. Agjensitë e lajmeve shkruajnë se një rrjet organizatash joqeveritare që po monitorojnë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, janë të shqetësuar fillimisht lidhur me ashpërsimin e gjuhës politike në tubimet elektorale nga shumë subjekte politike garuese për këto zgjedhje. Një shqetësim tjetër sipas rrjetit të oganizatave joqeveritare "Demokracia në veprim" është edhe shfrytëzimi i fëmijëve për aktivitetet elektorale. Në këtë linjë shoqëria civile u bën thirrje subjekteve politike garuese në zgjedhje që të zbatojnë kodin elektoral. Ismet Kryeziu, i cili udhëheq koalicionin e organizatave joqeveritare, "Demokracia në veprim", ne emër të këtyre organizmave u bën thirrje partive politike që në vend të ashpërsimit të gjuhës, të kenë programe dhe të orientohen në programe edhe me alternativa dhe t'iu ofrojnë qytetarëve zgjidhje. Në kuadër të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ekziston edhe Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa. Ky komision është duke mbledhur fakte për shkeljet e mundshme gjatë fushtës, por ende nuk ka publikuar ndonjë të dhënë. Ndërkaq analistët politikë thonë se në këtë proces parazgjedhor ka një ashpërsim të gjuhës politike gjatë tubimeve elektorale, por jo në një masë të madhe sa do ta rrezikonte procesin.