E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, komisionerë të rinj në rivotimet e tre komunave

Të gjithë komisionerët që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit në Skenderaj, Deçan e Drenas nuk do të marrë pjesë në përsëritjen e procesit zgjedhor në këto komuna.
Emrat e tyre do të dërgohen në prokurori, ndërkohë që në zgjedhjet e 9 janarit në këto komuna do të emërohen komisionerë të rinj. Komisionerët akuzohen për keqpërdorim të punës së tyre, duke keqpërdorur votën e qytetarëve.

KQZ-ja ka vendosur edhe për shkarkimin e të gjithë menaxherëve të qendrave të votimit, shtimin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe anulimin e votave me kusht për dy komuna - Malishevë dhe Lipjan. “Kemi vendosur t’i ndërrojmë komisionarët, ashtu siç na ka rekomanduar PZAP-i. Emrat e tyre do të dërgohen në Prokurori, ashtu siç ka kërkuar edhe organet e hetuesisë”, ka thënë për Express, të shtunën, Valdete Daka, Kryetare e KQZ-së.

“Do të dërgohen ekipe shtesë në ato vendvotime”. Daka ka përmendur vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë. “Ekipet e vëzhguesve ndërkombëtarë do të qëndrojnë në secilën qendër të votimit. Do të ketë ekipe statike. Ata do të jenë prezentë prej momenti të hapjes, deri në përfundimin e krejt procesit”, ka theksuar ajo.

Sipas premtimeve të ndërkombëtarëve, më 9 janar do të ketë rreth 90 ekipe të vëzhguesve të huaj, të cilët do të qëndrojnë në qendrat e votimit deri në përfundim të procesit të numërimit. Ndërkaq, koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” do t’i ketë të angazhuar rreth 4000 mbikëqyrës.

Daka ka thënë se janë duke bërë përpjekje maksimale që të mos lejohet asnjë vëzhgues të jetë nga komunat ku do të përsëriten zgjedhjet, por ata të dërgohen nga komuna të tjera, me qëllim që të mos koordinohen për të manipuluar votën. Udhëheqësja e procesit zgjedhor ka thënë se do të ketë kujdes ndaj vëzhguesve që kanë qenë të angazhuar më 12 dhjetor, që të mos lejohen të përzihen me vëzhguesit e 9 janarit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›