E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, kontrolli ne kufi, vdes polici, në veri nata kalon e qetë

PRISHTINE- Ka ndërruar jetë në spital njëri prej 4 policëve të plagosur nga sulmi i armatosur i serbëve në veri të Kosovës. Ata tentuan të bllokonin rivendosjen e kontrollit të policisë kosovare në vendkalimet kufitare me Serbinë. Ndërkohë që ndërkombëtarët përsëritën deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme apelet për qetësi dhe rifillim të dialogut.  Nata në veriun e Kosovës ka kaluar relativisht e qetë. Përfaqësuesi i serbëve lokalë, Kërstimir Pantiç, tha se serbët janë kujdesuar për barrikadat, në pritje të tërheqjes së njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga Jarina dhe Bërnjaku. Tërheqja sipas serbëve pritet të bëhet sot paradite.

NATA E QETE NE VERI, STEFANOVIC: FORCAT SPECIALE TERHIQEN SOT
Ora 09:00 Nata në veriun e Kosovës ka kaluar relativisht e qetë. Situatë e qetë u raportua dhe në pikat kufitare 1 dhe 31. Serbët kanë vazhduar edhe gjatë natës të mbajnë të bllokuara rrugët që të çojnë në dy pikat doganore të veriut të vendit, por nuk është shënuar ndonjë incident.
Përfaqësuesi i serbëve lokalë, Kërstimir Pantiç, tha se serbët janë kujdesuar për barrikadat, në pritje të tërheqjes së njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga Jarina dhe Bërnjaku. Pantiç ka thënë për mediat serbe se "Sipas marrëveshjes, në orën 08:00 do të duhej të tërhiqet bllokada, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë të monitorojnë situatën".Ndërkohë që kreu i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, ka thënë se ka arritur marrëveshje me komandantin e KFOR-it, Erhard Byler, që deri sot në mëngjes, njësia speciale e Policisë së Kosovës të tërhiqet nga post-blloqet në veri.

VDES POLICI, AK: ZYMBERI U QELLUA ME SNAJPER
Ora 08:20 Aleanca Kuq e Zi dënon vrasjen e policit Enver Zymberi dje nga sulmi i armatosur i serbëve në veri të Kosovës dhe i shpreh ngushëllime familjes së tij. Sipas saj “Zymberi u qëllua me snajper” dhe i kërkon “Serbisë të mbajë larg duart nga Kosova”

VDES POLICI, THACI: HUMBJE, SERBET DONIN TE BLLOKONIN VENIEN E LIGJIT POR S'IA DOLEN
Ora 07:00 Polici u qëllua dje me armë zjarri rreth orës 14.20 në vendin e quajtur Varak të Zubin Potokut. Enver Zymberi ishte pjesëtar i njësiteve speciale ROSU, të cilët të hënën në mbrëmje u përfshinë në aksionin për rivendosjen e kontrollit në vendkalimet kufitare me Serbinë, në veri të Kosovës. Pjesëtari i Policisë së Kosovës, nga Dubovci i Vushtrisë, ndërroi jetë në orët e mbrëmjes së të martës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes së policit, duke e quajtur humbjen e tij të madhe jo vetëm për Policinë e Kosovës, por për mbarë popullin dhe institucionet e vendit.
 
“Me dhimbje të madhe morëm lajmin që polici i shtetit të Kosovës, Enver Zymberi, edhe përkundër përkushtimit të madh të ekipeve mjekësore, ndërroi jetë sonte, pas plagëve të marra nga sulmi i turmave të dhunshme që tentuan të bllokonin vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës, por që nuk ia arritën”, thuhet në telegram.

ASHTON: BISEDON ME THACIN E TADIC
Ora 07:00 Ndërkohë, Shefja e diplomacisë evropiane Ketrin Ashton ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ndërmarrin aksione të menjëhershme për të ulur tensionet në veri. Në një deklaratë për media, thuhet se Ashton ka biseduar në telefon me presidentin serb, Boris Tadiç dhe kryeministrin Hashim Thaçi, siç është thënë, “për të shprehur shqetësimet e BE-së në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës”.

DASH: KEQARDHJE PER MOSKOORDINIMIN
Ora 07:00 Nga SHBA, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur keqardhje se veprimet së hënës në mbrëmje nga qeveria e Kosovës për të marrë kontrollin në vendkalimet kufitare ne veri të Kosovës nuk ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar. Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë që të vazhdojnë të punojnë urgjentisht drejt qetësimit të situatës aktuale. Gjithashtu SHBA u kanë bërë thirje të gjitha palëve që të përmbahen nga përdorimi i dhunës.

“Lëvizja e lirë e produkteve midis Serbisë dhe Kosovës duhet të adresohet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Hapat e njëanshëm nga të dyja palët – imponimi i Serbisë për embargo të njëanshme të prodhimeve të Kosovës nga viti 2008 dhe vendimi i fundit i Kosovës për të vendosur reciprocitet pas dështimit të të dyja palëve të arrijnë marrëveshje për normalizimin e doganave – kanë rezultuar me këtë rrugë qorre”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Kemi besim në menaxhimin e dialogut nga ana e BE-së dhe ftojmë të dyja palët që të rikthehen mënjeherë në tavolinën e bisedimeve. Presim nga Kosova dhe Serbia që nëpërmjet dialout, të vendosin kushte pozitive dhe reciproke, që do të letojnë edhe njerëzit, por edhe prodhimet, të lëvizin lirshëm midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në deklaratën e DASH-it të bërë publike dje në mbrëmje.

ÇFARE NDODHI DJE
Prishtina mori dje nën kontroll veriun e Kosovës, në një operacion të posaçëm policor që nxiti protestat e dhunshme të serbëve që jetojnë atje. Katër policë u plagosën, njëri nga një snajper, sipas medias kosovare dhe tre të tjerë me gurë e mjete të forta gjatë përplasjes në afërsi të vendkalimeve në Bërnjak e Jarinjë, në kufirin verior mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithçka nisi që në orët e vona të së hënës, kur trupat e policisë së Kosovës mbërritën në në të dy vendkalimet ku ndodhen edhe pika doganore 1 dhe 31, deri tani në duart e serbëve. Tensionet vazhduan edhe gjatë ditës së djeshme, ndërsa autoritetet në Beograd u ankuan në Bruksel dhe i bënë disa oferta Kosovës për të tërhequr trupat policore nga veriu, duke pretenduar në orët e vona edhe arritjen e një marrëveshje për largimin. Ndërsa, kryeministri Hashim Thaçi e mohoi një pakt të tillë dhe në një konferencë për shtyp të martën në darkë deklaroi se vendimi i Prishtinës ishte i drejtë dhe se ai kishte për qëllim vetëm vendosjen e rendit dhe ligjit në territorin kosovar.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera Kontrolli në kufi, Thaci: S’lejojmë kërcënimin e sovranitetit

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›