Kosovë, kryeministri Thaçi udhëton drejt Vjenës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar sot për në Vjenë të Austrisë, ku do të marrë pjesë në takimin e radhës të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën.
Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se në takim do të diskutohet për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për mbarëvajtjen e zbatimit të Propozimit gjithëpërfshirës për pavarësinë e Kosovës dhe për hapat e mëtejmë për përmbylljen e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën.
Mësohet se pas takimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, Kryeministri Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith do të mbajnë konferencë për media.