E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga Arabe Siria te formoje qeveri te unitetit ti jape fund gjakderdhjes

Liga Arabe ka përshkruar një sërë reformash për Sirinë në mënyrë që t’i japë fund dhunës në vend. Pas një takimi në Kajro, krerët i bënë thirrje autoriteteve siriane të formojnë një qeveri kombëtare të unitetit duke perfshire dhe opozitën.
Përgatitjet për zgjedhjet e lira parlamentare dhe presidenciale duhet të bëhen sipas një ligji, i cili tregon se procedura të tilla duhet të kryhen nën vëzhgimin arab dhe ndërkombëtar.
Të dy palët duhet t’i japin fund gjakderdhjes, duke i bërë thirrje Presidentit Bashar al-Asad të dorëzojë pushtetin tek zëvendësi i tij. TV shtetëror sirian citon një zyrtar të lartëe duke thënë se Damasku zyrtar kishte kundërshtuar planin për transferimin e pushtetit .
"Siria hedh poshtë vendimet e marra nga Liga Arabe, dhe i konsideron një sulm ndaj sovranitetit të saj kombëtar", u shpreh zyrtari emri i të cilit nuk është bërë i ditur për agjencinë e lajmeve AFP.
Gjatë ditës së diel, Arabia Saudite tha se është tërhequr nga misioni për monitorimin e luftës në Siri, pasi sipas saj Damasku kishte thyer të gjitha iniciativat e paqes .
Ndërsa ministrat e Ligës Arabe u shprehën se misioni i vëzhguesve në Siri mund të zgjatet dhe një muaj. Arabia Saudite është një nga donatorët kryesorë të projekteve të Ligës, por vëzhguesit janë kritikuar për dështimin në ndalimin e dhunës. Përleshjet dhe vrasjet në Siri vazhdojnë që prej 10 muajsh tashmë, ndërsa OKB ka bërë me dije se numri i viktimave mund të ketë kaluar 5 mijë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›