E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, kushti i AKR-së për koalicion me PDK-në



Partitë politike në Kosovë kanë nisur të shqyrtojnë me seriozitet mundësinë e krijimit të koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli fituese në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit. Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, është shprehur hapur se nëse PDK-ja e Thaçit do të lidhë koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, atëherë AKR-ja nuk do të hyjë Qeverinë e re. Në një intervistë për mediat, Pacolli tha se kontributi i tij më të madh pretendon të jepet në Presidencë dhe se ditët e fundit ka menduar seriozisht të tërhiqet nga politika. “Qasja jonë konstruktive u keqkuptua nga njerëzit, prandaj edhe humbëm gjysmën e elektoratit. Këto ditë më ka shkuar ndërmend të tërhiqem fare nga politika”, citohet të ketë thënë Pacolli. Megjithatë, lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli shprehet i qartë në ambiciet e tij dhe vizionin për koalicion qeverisës. Ai thotë se synon Presidencën, ndërsa shfaqet skeptik nëse do të hyjë në një koalicion me PDK-në, nëse Hashim Thaçi nënshkruan partneritet me partinë e Ramush Haradinajt, AAK-në.
“Unë nuk kam kurrfarë pakënaqësie me AAK-në. Nuk kam vija të kuqe me AAK-në, por vetëm një frikë e kam. Nëse do të jenë AAK-ja dhe PDK-ja së bashku, më duket hapësira jonë do të jetë shumë e reduktuar dhe veprimet tona nuk do të vërehen. Për atë, unë nuk do të jem i interesuar për këtë formulë qeverisëse”, ka thënë ndër të tjera, Pacolli. Ditët e fundit nga kjo parti janë bërë deklarata të ndryshme lidhur me koalicionin me PDK-në. Një pjesë e anëtarëve të kësaj partie janë shprehur kundër koalicionit me Thaçin, ndërsa pjesa tjetër është shprehur e gatshme për bashkëpunim. Një tjetër patri me të cilën Thaçi ka shprehur mundësinë për koalicion është AAK-ja e Ramush Haradinajt. Megjithatë, kreu i PKD-së, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se koalicioni do të bëhet zyrtar pas 9 janarit, kur të ketë përfunduar rivotimi në tri komuna. Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa nuk do t’ia shtrijë dorën për fitore kreut të Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaci, pas përsëritjes së zgjedhjeve në tri komuna më 9 janar. Kështu ka deklaruar kreu i LDK në një intervistë dhënë për mediat kosovare.
Mustafa thekson se nuk përben problem nëse LDK-ja mbetet në opozitë, por problemi, sipas tij, qëndron tek legjitimiteti i zgjedhjeve, sepse siç deklaron ai kur qeveriset me vota të abuzuara, askush nuk mund ta luaj rolin mirë, as në pozitë, as në opozitë.

Serbia kërkon fillimin e hetimeve ndaj UNMIK-ut

Serbia ka kërkuar fillimin e hetimeve ndaj misionit të OKB-së në Kosovë për shkak të fshehjes të tregtisë me organe nga ana e UÇK-së. Sipas njoftimeve të gazetës serbe "Blic", ministri i Serbisë për Bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës kërkoi prej kësaj gjykate të hetojë rolin e Soren Jesen Petersen, shefit të UNMIK-ut për periudhën 2004 dhe 2006. Ministri Rasim Ljajiç tha, se sipas raportit të fundit të Këshillit të Europës në lidhje me tregtinë e organeve UNMIK-u paska penguar hetimet dhe nuk i ka ndjekur gjurmët përkatëse në vitin 2004. Raporti i deputetit të Këshillit të Europës, Dik Marti nuk është pranuar ende zyrtarisht prej Këshillit të Europës dhe do të diskutohet prej tij në fund në janarit.

KFOR, trupat amerikane nga shkurti do të vendosen në Veri

Një kontigjent i trupave amerikane të KFOR-it pritet të zbarkojë në veri të Kosovës në muajin shkurt, duke marrë kështu përgjegjësinë për sigurinë në atë zonë, të banuar me shumicë serbe. Francisko Neuman, komandant i trupave amerikane në kampin Bondstill ka thënë se KFOR-i amerikan është i gatshëm për të reaguar në çdo kohë dhe në secilën pjesë të territorit. SHBA-të sipas tij, do të vazhdojnë të mbajnë në Kosovë rreth 810 ushtarë në kuadër të misionit të NATO-s. Deri tani, Kosova Veriore ka qenë në zonën e përgjegjësisë së francezëve, ndërsa trupat amerikane janë dërguar atje kohë pas kohë, varësisht nga gjendja e sigurisë. Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler ka thënë se vendosja e paqeruajtësve amerikanë në veri, nuk nënkupton edhe tërheqjen e batalioneve të shteteve tjera nga veriu.

Itali
Paketë bombë para ambasadës greke në Romë

Një pako e dyshimtë që u zbulua dje në mëngjes para ambasadës greke në Romë, përmbante eksploziv, deklaroi një zëdhënës i karabinierëve. “Specilistët janë aktualisht duke punuar për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një pako të ngjashme me ato që shpërthyen javën e kaluar”, deklaroi ky zëdhënës.
Që prej këtij lajmi përfaqësuesit diplomatikë të kryeqytetit italian janë vendosur në gjendje alarmi. Media italiane kanë bërë të ditur se janë zbuluar gjithashtu pako dhe në ambasadat e Marokut dhe Danimarkës, por zëdhënësi i karabinierëve ka deklaruar që ky lajm nuk konfirmohet ende.

Rusi
Gjykata shpall fajtor ish-biznesmenin Khodorkovski

Ish-biznesmeni rus, Mikhail Khodorkovsky është shpallur fajtor nga një gjykatë në Moskë për përvetësim të paligjshëm fondesh.
Dikur personi më i pasur në Rusi, ai aktualisht po vuan një dënim prej 8 vjetësh burg për evazion fiskal. Mbështetësit e tij thonë se gjyqi është politikisht i motivuar. Procesi i fundit gjyqësor ndaj tij zgjati pothuaj dy vjet. Një grup protestuesish u mblodhën jashtë gjykatës në mbështetje të z. Khodorski. Gjykatësi menjëherë la të kuptohej se ai do ta shpallte fajtor për përvetësim fondesh.

Ukrainë
Arrestohet ish-ministri i brendshëm Lutsenko

Ish-ministri i brendshëm i Ukrainës, Juri Lutsenko, është arrestuar, në kuadër të hetimeve lidhur me qeverinë e ish-kryeministres, Julia Timoshenko, kanë thënë zyrtarët. Ish-ministri i brendshëm u arrestua nga së paku 10 oficerë të sigurisë speciale, ndërsa po shëtiste me qenin e tij, ka njoftuar një zëdhënëse e zotit Lutsenko. Sipas saj, ish-ministri dhe njëri nga liderët e dikurshëm të Revolucionit të Portokalltë, po mbahej në Shërbimin e Sigurimit të Ukrainës, që është një mbetje e KGB-së, nga periudha ish sovjetike.

28 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›