QSUT, çdo vit rreth 350 fëmijë lindin me deformime në zemër
Lizeta Duro
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, çdo vit evidentohen rreth 350 fëmijë, të lindur me deformime në zemër. Sipas mjekëve pediatër dhe kardiokirurgëve këta fëmijë, pas ndërhyrjeve kirurgjikale vazhdojnë jetën normalisht. Specialistët thonë shkaqet e keq formimit të zemrës tek fëmijët e porsalindur janë disa, sëmundja e trashëguar ose predispozicioni gjenetik, infeksioni viral që nëna kalon gjatë shtatzënisë, sëmundja e hipertensionit. Për krijimin keq formimeve të lindura ndikojnë edhe rrezatimet radioaktive që një grua mund të marrë gjatë shtatzënisë së saj. Ndër sëmundjet më të shpeshta vihet re Tetralogia Fallot (sëmundja e fëmijës së mavijosur), defekti (vrima) në atriumet e zemrës (ASD-defekti i septumeve atrial-parabarkusheve), vrima në ventrikul (barkushe) defekti i septumit ventrikular (VSD).
Ndërhyrjet
Altin Veshti, kardiokirurg në Pavijonin e Pediatrisë u shpreh se vetëm gjatë këtij viti janë realizuar rreth 83 operacione të rralla ku më i vështiri ka qenë ai tek një foshnjë 9-ditësh me peshë 2.4 kg. Sipas Veshtit një pjesë prej këtyre ndërhyrjesh ishin për herë të parë. Sipas specialistëve, fëmijët duhet të operohen posa të lindin kur atrezionet janë të bllokuara dhe gjaku nga zemra nuk shkon në trup apo në mushkëri (pulmone). Gjatë angiografisë këta të sëmurë kanë shans për ndërhyrje. Tek i ashtuquajturi Transpozicioni i madh arterial (TGA), vazot e gjakut të cilat kanë dalje të kundërt nga normalja, ndërhyrja duhet të kryhet kur fëmija është 2 – javësh, përqindja e suksesit këtu është mbi 95%. Në rast se operohet në muajin e tretë, përqindja e suksesit mund të bjerë nën 50%. Ndërsa në muajin e parë duhet të operohen kur vazot e gjakut janë të transpozicionuara si dhe vrima(defekti) në zemër. Kur në zemër evidentohen defekti ASD dhe VSD operimi më i përshtatshëm është ndërmjet muajit të tretë dhe të gjashtë. Më vonë përsëri paraqiten problemet e shtypjes së lartë pulmonare.
Festa
Dje në ambientet e Pediatrisë Infektive në QSUT, Drejtoria e Spitalit, Shoqata "Një botë për një zemër" dhe kompania “Eagle Mobile” organizuan një sërë aktivitesh dhe shpërndanë disa dhurata për fëmijët e këtij Pavijoni. Rreth 40 fëmijë të shtruar në shërbimin e pediatrisë Drejtori i përkasin asaj kategorie që kanë kryer ndërhyrje të rralla, kryesisht në zemër dhe i’u duhet të qëndrojnë të shtruar për një kohë të gjatë në spitalë.
“Për ne është me mjaft rëndësi që në këto ditë të fundit të 2010-ës jemi me fëmijët që kurohen. Eagle Mobile që në ditët e para është futur në shumë projekte të ndryshme sociale, dhe fokusi ynë kryesor kanë qenë fëmijët dhe edukimi i tyre. Jemi në qendrën më të madhe spitalore në Shqipëri dhe pikërisht në spitalin e fëmijëve, e atyre që i duhen të ardhmes së vendit dhe që ne u japim shumë rëndësi” ka pohuar drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile Ali Taskin. Kurse drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka pohuar se iniciativa te tilla janë shumë të rëndësishme, pasi bëjnë që këta fëmijë të mos ndihen të vetmuar në këto ditë festash kur të gjithë festojnë së bashku në familje. Disa muaj më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është hapur qendra më re e lojërave për fëmijët të cilët shtrohen në Pavijonin e Pediatrisë. Ka qenë Shoqata “Një Botë për një zemër” që ka mundësuar hapjen e kësaj qendre për fëmijët e vegjël, duke pasur parasysh se fëmijët qëndrojnë për një kohë të gjatë në këto ambiente.
Rama
Edhe kryetari i Bashkisë, Edi Rama ka vizituar dje fëmijët e pediatrisë, që sipas Ramës duhet të përballojnë një betejë të vështirë e që më shumë se kushdo tjetër kanë nevojë për dashurinë, mbështetjen dhe solidaritetin e secilit prej nesh.
I shoqëruar nga të rinjtë dhe të rejat e Rrjetit Rinor të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku u ka dhuruar atyre një sërë dhuratash. “Si çdo festë, si çdo Krishtlindje dhe dhe Vit të Ri, ne jemi përsëri këtu për t’u qenë pranë të gjithë fëmijëve që kanë nevojë më shumë se të tjerët për të pasur mënyrën se si të gëzojnë në këto kushte jashtëzakonisht të vështira, kur kanë një betejë shumë të madhe për të bërë dhe që e bëjnë falë mbështetjes së një ekipi mjekesh e mjekësh, infermieresh dhe falë dashurisë së madhe të prindërve e të afërmve, por që gjithsesi e bëjnë edhe më mirë, falë edhe dashurisë e solidaritetit që marrin nga jashtë, nga jashtë dyerve të spitalit, sepse për këtë arsye ne jemi këtu, për t’ua dëshmuar këtë dashuri dhe solidaritet, duke uruar Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, duke uruar që të fitojnë në këtë betejë të madhe e cila është një betejë e vështirë, por jo e pamundur dhe që fitohet pikërisht falë dashurisë, falë mbështetjes, solidaritetit, falë sakrificave të të gjithë atyre që u janë pranë këtyre fëmijëve” u shpreh Rama. Kreu i Bashkisë së kryeqytetit, ka përfituar nga rasti të urojë edhe ekipin mjekësor që u gjendet pranë këtyre fëmijëve si dhe prindërve të tyre, mjekët dhe infermieret që sipas tij bëjnë punë heroike në kushte të vështira.
QSUT, për herë të parë operacione të vështira tek fëmijët që janë me gjysëm zemre
Gjatë festës së organizuar nga Drejtoria e QSUT-së mjekët pediatër dhe kardiokirurgët shprehen se synimi i tyre për vitin e ardhshëm është realizimi i operacioneve te fëmijët që lindin me gjysmën e zemrës. Sipas tyre, në vitin 2011 krahas rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve të vegjël, janë të gjitha mundësitë që të shtohet dhe shumëllojshmëria e ndërhyrjeve tek ta, duke përfshirë edhe ndërhyrjet kirurgjikale më të vështira, siç është operacioni i pacientit me gjysmë zemre që nuk është realizuar asnjëherë në vendin tonë.“Për të rritur numrin e operacioneve, për të shtuar gamën e operacioneve dhe nga ndërhyrjet që ne pretendojmë të bëjmë janë ndërhyrjet tek fëmijët që lindin me gjysmën e zemrës. Këto operacione realizohen kudo në botë me sukses dhe ne mendojmë që t’i realizojmë brenda vitit të ardhshëm” u shpreh Altin Veshti, kardiokirurg në Pediatrinë e QSUT-së. Specialistët kanë ndërhyrë tek pacientët e vegjël kur kanë evidentuar prezencën e vrimës (defektit) në zemër, e cila vjen për shkak të insuficiencës së zemrës (mos mundësia e shtimit të peshës) dhe rastet kur infeksionet pulmonare përsëriten. Kardiokirurgët shprehen se zemra mund të ketë disa vrima të madhësive të ndryshme sepse gjaku i cili në kushte normale, një herë duhet të shkojë në mushkri, duke kaluar nga vrima shkon direkt në mushkri dhe mushkëritë këtë “barrë” nuk mund ta mbajnë. Kështu puna e zemrës shtohet duke shkaktuar insuficiencën e zemrës. Për këta të sëmurë është me rëndësi operimi nën moshën një vjeçare. Në disa raste mundë të pritet deri në moshën 1-vjeçare, por në rast se vrima është e vogël, vrima mund të mbyllet vetvetiu. Por kjo është një gjendje shumë e rrallë, për këtë gjendje duhet të konsultohet mirë me mjekun dhe i sëmuri duhet të jetë shumë nën vëzhgimin e mjekut. Mjekët thonë gjithashtu se të porsalindurit mund të operohen me anë të ballonave, apo mundë t’u bëhen operime të përkohshme dhe më vonë të bëhet zëvendësimi i valvulave apo të bëhet korrigjimi i tyre. Disa sëmundje nuk mundë të vërehen deri në moshën shkollore. Në zemrën e fëmijës ndodhen 4 valvula. Pas 5-10 vitesh mundë të bëhet ndërrimi (zëvendësimi) i valvulave të zemrës përmes operimit. Përveç këtyre kemi edhe sëmundjet e cipës së zemrës (perikardit). Perikardi (cipa e zemrës) dhe sëmundjet e miokardit (sëmundja e muskulit të zemrës) mund të çojë deri tek transplantimi i zemrës. Sipas specialistëve çdo vrimë nuk është e thënë të mbyllet me operim, me mjetet e angiografisë duke hyrë nëpërmjet vazove të gjakut, disa vrima mund të mbyllen. Në rast se nuk paraqet problem për mushkërinë e fëmijës, duke pritur që fëmija të arrijë peshën e caktuar, kur të arrihet pesha e duhur mund të mbyllet vrima në zemër. Tek të sëmurët tek të cilët nuk është zhvilluar një pjesë e zemrës, këto ndërhyrje mundë të bëhen ndërmjet moshës 6-mujore dhe 1-vjeçare shkalla e parë, në moshën 1-vjeçare i ashtuquajtur paliativ i mbetur, mund të bëhet me operim të shkallës së fundit. Përmirësimi i plotë i zemrës nuk është i mundur asnjëherë.
28 Dhjetor 2010