Berisha në konferencën e fundvitit: “Vizat, arritja më e madhe e 2010-s”
Kryeministri Berisha, në konferencën e fundvitit, bëri dje një përmbledhje të arritjeve të qeverisë gjatë vitit 2010, duke veçuar liberalizimin e vizave për shqiptarët si arritjen më të madhe. Ai tha se shembja e murit të vizave për shqiptarët përbën arritjen e dytë më të madhe në rrafshin e lirive dhe të drejtave njerëzore. Por, ndërsa renditi arsyet që sipas tij çuan në heqjen e vizave, Berisha shigjetoi sërish opozitën duke e akuzuar për përpjekje të vazhdueshme për bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave. “Për herë të parë në histori shqiptarët do të lëvizin në Europë si zonja dhe zotërinj, kjo është arritja më e madhe e kësaj qeverisjeje, arritja më e merituar. Por, në këtë vend, si në asnjë vend tjetër në kontinent, opozita u angazhua për të bllokuar, për të shkelmuar një interes që ishte jetik për liritë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. E gjithë beteja absurde e opozitës kishte vetëm një qëllim: të bllokoheshin vizat”, - theksoi kryeministri. Kreu i qeverisë u shpreh se viti 2010 shënoi hapa të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe sipas tij, KE-ja do të kishte dhënë vlerësim maksimal nëse opozita nuk do të kishte mbajtur qëndrime destruktive. “Ky vit shënoi hapa të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Administrata shqiptare mori pyetësorin dhe u paraqit me dinjitet të plotë me librin e të vërtetave shqiptare prej 3853 faqesh, që u dorëzuan në datën 16 prill në KE. Komisioni Europian shprehu vlerësim për të gjitha arritjet, natyrisht për shkak të situatës e krijuar nga qëndrimi destruktiv i opozitës nuk pati mundësi të vendosë për të dhënë statusin e kandidatit”, - tha Berisha. Kryeministri, ndër të tjera, shprehu vlerësimin më të madh ndaj mediave për denoncimet që bëjnë ndaj korrupsionit. “Shqipëria vazhdon të mbetet i vetmi vend ku administrata nuk regjistron asnjë padi civile apo penale ndaj mediave”, - deklaroi Berisha.
29 Dhjetor 2010