E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, ligjin antiduhan s’e respektojnë as ligjvënësit

Ky ishte një nga konstatimet e debatit të mbajtur të dje në Prishtinë, lidhur me strategjinë e veprimit për zbatimin e Ligjit për duhanin, “Ndalimi i pirjes së duhanit në vende publike”. Takimi ishte organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në bashkëpunim me Organizatën KADC.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka thënë se nuk ka statistika të sakta se sa është përqindja e personave që pinë duhan, mirëpo sipas hulumtimeve të mëhershme, mendohet se në Kosovë në mënyrë aktive tymosin rreth 500 mijë njerëz. Më tutje, ai ka shpjeguar strategjinë për sensibilizimin e opinionit me qëllim zbatimin e strategjisë për ndalimin e pirjes së duhanit.

“Në radhë të parë ne do të tentojmë të sensibilizojmë mjekët dhe gjithë personelin shëndetësorë, pastaj ne do të vazhdojmë me sensibilizimin e arsimtarëve në të gjitha shkollat në shtetin tonë, sensibilizimin e të gjithë administratës qeveritare, joqeveritare, dhe pastaj do të vazhdojmë me sensibilizimin e vazhdueshëm të tërë popullatës së Kosovës”, ka paraqitur strategjinë e tij Ramadani.

Folës të tjerë në këtë debat konstatuan se në Kosovë, mungojnë iniciativat e bashkëpunimi për implementimin dhe zbatueshmërinë e Ligjit kundër duhanit, ndërsa u bënë thirrje institucioneve përkatëse që ky ligj të zbatohet, me qëllim të vetëdijesimit të shoqërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›