Kosovë, lirohen 30 aktivistë të “Vetëvendosjes”

Prokuroria e komunës, së Prishtinës hoqi dorë nga padia kundër 32 aktivistëve, të cilët u arrestuan të shtunën gjatë aksionit protestues ndaj negociatores Edita Tahiri.
30 prej tyre janë liruar me procedurë të rregullt, ndërkaq Rron Gjinovci dhe Durim Jashari vazhdojnë të mbahen në burg lidhur me aksionin protestues të mëhershëm në rektoratin e Universitetit të Prishtinës,
“Mbajtja në paraburgim prej 48 orësh e aktivistëve, ishte vazhdim i aksionit ndëshkues të Qeverisë së Kosovës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, i cili filloi me intervenimin brutal të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ku u lënduan 7 aktivistë, të cilët u rrahën edhe brenda në furgona të policisë”, njoftoi Lëvizja “Vetëvendosje” përmes një komunikate për mediat.
Aktivistët e “Vetëvendosjes” u arrestuan të shtunën pas një aksioni në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë të cilit hodhën domate në drejtim të veturës zyrtare të shefes së delegacionit kosovar në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri.