E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, mes të arrestuarve edhe ideuesi i Newborn, Fisnik Ismaili

PRISHTINE- Një nga të arrestuarit e protestës së Vetvendosjes “Serbia nuk kalon” është edhe Fisnik Ismaili. Për lexuesit e Shqipërisë emri i tij mund të jetë pjesë e aktivistëve të kësaj lëvizjeje, por për disa të tjerë ai është ideuesi dhe zbatuesi i monumentit që glorifikoi pavarësinë e Kosovës, fituar më 2008, Newborn, i sapolindur. Ky momument, instalacion metalik me shkronja rreth 2.5 metra të larta, gjendet i vendosur para pallatit të sportit Boro&Ramiz, u zbulua pikërisht me 17 shkurt të 2008 dhe në mesin e atyre që e përuruan, në krah të autorit ishin të gjitha autoritetet e larta shtetërore të Kosovës, përfshi këtu Hashim Thaçin aktualisht kryeministër.

Fisnik Ismaili pak para se të niset për protestë publikoi në faqen e tij të rrjetit social Facebook, këto radhë: “Nji thirrje për protestë paqësore, e demonizueme nga qeveria si akt që do me e destabilizue krejt rajonin, në mënyrë që me ia dhanë vetes lirinë dhe hapësinën me ushtrue dhunë ndaj protestuesve, duke i bë ata fajtorë”, - citohet pjesë nga deklarata e tij publike. Më tej ai i drejtohet qeverisë së Kosovës duke i kujtuar asaj detyrën ndaj institucioneve të një shteti të pavarur dhe se protesta e Vetvendosjes nuk është gjë tjetër përveçse një kërkesë e fortë dhe paqësore për respektimin e këtyre institucioneve dhe Kushtetutës së Kosovës. “Ti po e arsyeton veten, duke na ba neve përgjegjës nëse dikush han dajak, plagohet apo, larg qoftë, vritet sot, edhe pse ti e ke revolen edhe pendrekun, e ne s’e kemi, se në luftë nuk po dalim”, shprehet Ismaili, që njihet në Kosovë si një ndër artistët elitar të saj, ai njihet edhe si karikaturist.

Pasi shpreh dëshirën që në protestën e së shtunës të mos ndodhë gjakderdhja mes shqiptarëve, ai thekson se po del në protestë për të ushtruar të drejtën themelore të njeriut, “lirinë me e shprehë pakënaqësinë ndaj të padrejtës që ti po e bën.” “Nuk po dal as me u rrehë ty, as me u përla. As me të sha, as ofendue. Nuk po dal i armatosun, as nuk po dal me të luftue. Po dal, për me u kthye nji ditë i lumtun se kërkesa ime u plotësue. Shpresoj që ky postim sot nuk mbetet dëshmi e egërsisë tande, sepse po të premtoj që po i njajti ka me e shënue fundin e diktatit tand të paskrupullt, që ka me të lanë në histori si mizerja ma e madhe që ky komb e ka prodhue ndonjiherë”, citohet pjesë e deklaratës së Ismailit. Fisnik Ismaili pak vite më parë drejtoi një forcë politike Fryma e Re, të cilën e promovoi pikërisht para monumentit të tij, ashtu siç edhe bëri paraqitjen e deputetëve të parë të saj. Pas dështimit të objektivave të kësaj partie, Ismaili, u bë një nga aktivistët kryesorë të Lëvizjes Vetvendosja.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›