E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, mocioni i PDK-së në Kushtetuese

Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” i janë drejtuar dje Gjykatës Kushtetuese nga e cila kanë kërkuar interpretim për mocionin e fundit të iniciuar nga PDK-ja, i cili ka shfuqizuar tashmë ish-mocionin e Vetëvendosjes për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë.
Lajmi bëhet i ditur nga gazeta “Zëri” e cila thekson se në këtë formë, nëpërmjet institucionit më të lartë në vend për interpretimin e Kushtetutës, anëtarët e lëvizjes së drejtuar nga Albin Kurti pretendojnë që të hedhin poshtë vendimin e fundit të Kuvendit.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse drejtuesit e Vetëvendosjes e kanë ose jo mbështetjen e dy partive tjera opozitare, LDK-së dhe AAK-së, për t`iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ata mund t`i drejtohen Kushtetueses vetëm me nënshkrimet e dhjetë deputetëve të Vetëvendosjes.
Dërgimi i mocionit të PDK-së në Gjykatën Kushtetuese ka “lindur” si ide gjatë një mbledhje të kryesisë dhe Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes gjatë javës së kaluar, vetëm pak kohë pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar atë.
Dërgimi i mocionit të PDK-së në Gjykatën Kushtetuese për analistët politikë nënkupton tendencën e këtij subjekti politik që ta vazhdojë betejën politike me partinë e kryeministrit Thaçi, PDK-në.
Ndërkohë, drejtuesit e Vetëvendosjes kanë paralajmëruar se për një kohë të papërcaktuar nuk do të ketë protesta të ngjashme me protestat e fundit tek pikat kufitare që e lidhin Kosovën me Serbinë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›