Moti i keq përfshin gjithë Ballkanin

Gjendja e emergjencës është deklaruar në më shume se 10 rajone të Serbisë pasditen e vonë të së enjtes për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që kanë mbuluar të gjithë vendin, lajmi bëhet i ditur nga Predrag Maric, një zyrtar i lartë i ministrisë për situatat emergjente. Reshjet e dendura të dëborës që kanë nisur të martën kanë shkaktuar problem në qarkullim, kanë penguar trafikun në shumë qytete si në Beograd, Nis dhe Valjevo. Disa linja urbane nga veriu i Kosovës në Beograd janë detyruar të mbyllen. Edhe në shumë zona malore është pezulluar mësimi në shkolla dhe janë mbyllur shumë rrugë ndërsa ka patur probleme edhe me furnizimin me energji elektrike. Probleme nga reshjet janë krijuar edhe në Rumani e Bullgari.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Rumani trashësia e dëborës ka arritur në mbi një metër. Policia dhe autoambulancat kanë shpëtuar rreth 1300 persona por shumë të tjerë kanë mbetur ende të bllokuar në automjetet e tyre , thonë shërbimet e emergjencës në Rumani. Kryeministri i vendit Emil Boc tha se prioritet do të jetë shpëtimi i pasagjerëve të bllokuar në autobusë në kontenë Giurgiu, në kufi me Bulgarinë. Rreth 500 fshatra , shumica në jug të Rumanisë dhe rreth 50 të tejrë në Bullgari, kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa raportohet per të paktën një viktimë, që ka humbur jetën pasi kishte qëndruar për shumë orë i bllokuar në makinë.
Mediat lokale raportojnë gjithashtu se më shumë se 1000 borëpastruese janë në dispozicion për të liruar rrugët kryesore të Rumanisë. Megjithatë, aeroporti i Sofies, mbetet i hapur, edhe pse janë anulluar disa fluturime. Situatë problematike paraqitet edhe në Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi për shkak të motit të keq.