E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, mocioni për të pagjeturit sërish sot në Kuvend

Kthimi i mocionit, i cili kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, pritet të jetë sërish në qendër të debatit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar kthimin në votim, të mocionit të miratuar njëherë nga Kuvendi, me arsyetimin se Kuvendi kishte votuar dy dokumente dhe jo një mocion të vetëm.

Të premten e kaluar, deputetët e opozitës braktisën seancën plenare, duke bërë që Kuvendi të ndërpresë punimet, për shkak të mungesës së votave.

Kthimin e mocionit, e kanë kundërshtuar familjarët e personave të pagjetur.

Ndërsa, në seancën e së enjtes, pas interpelancës së kryenegociatores Edita Tahiri në lidhje me bisedimet me Serbinë, Kuvendi kishte votuar mocionin, i cili në një pikë kërkonte kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Beogradin me zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës.

Mocioni ishte përkrahur fillimisht edhe nga PDK-ja, por pas seancës, deputetët e kësaj partie kishin thënë se nuk e kishin të qartë se për çfarë kanë votuar, prandaj edhe kishin kërkuar rivotimin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›