E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina, e shqetësuar për aleancën SHBA-Australi

Kina ndihet e shqetësuar për rritjen e lidhjeve ushtarake mes Australisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm australian, Bob Carr, në një prononcim për gazetarët gjatë një vizite në Pekin. Autoritetet kineze i kishin thënë atij se, “koha për aleanca të Luftës së Ftohtë ka kaluar prej kohësh”.

Së fundmi Shtetet e Bashkuara kanë nisur një kontigjent trupash drejt bazave të tyre në Australi, lëvizje kjo e konsideruar për t`i bërë presion Kinës.

Ditën e hënë, zoti Carr takoi homologun e tij Yang Jiechi, ndërkohë që gjatë së martës do të takohet me zv.kryeministrin Li Keqiang për të diskutuar mbi marrëveshjen për tregtinë e lirë Australi-Kinë.

Kina është partneri tregtar më i madh i Australisë dhe pothuajse çereku i eksporteve australiane shkon në Kinë. Por aleatja kryesore e Australisë për sigurinë është Amerika.

Zoti Carr deklaroi se tre takimet e nivelit të lartë ditën e hënë, përfshirë atë me zotin Yang, janë dominuar nga pyetje mbi aleancën në rritje të Australisë me SHBA.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›