Kosovë, ndarja e veriut e padiskutueshme
Mediat kosovare bëjnë të ditur se sipas analistëve politikë në Prishtinë, duhet një proces i gjatë deri në gjetjen e një zgjidhjeje për veriun e Kosovës. Duke përkrahur qeverinë e Kosovës për të vendosur funksionimin e pikave doganore në veri, NATO dhe BE, sipas tyre, dërguan sinjale të qarta se ndarje të Kosovës nuk do të ketë, ndërsa zgjidhja për veriun do të kërkohet brenda sovranitetit të Kosovës.
Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti, theksoi për mediat se procesi politik në raportet Kosovë-Serbi në mënyrë eksplicite është parashikuar nga kancelaria gjermane Angjela Merkel, duke i kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat paralele para se të pretendojë integrimet evropiane.
Duke parashikuar një proces të gjatë e të mundimshëm për veriun, analisti Rashiti thotë se Beogradi dhe Prishtina do të ballafaqohen me një përplasje të ashpër rreth kësaj pjese deri në gjetjen e një zgjidhjeje midis ndarjes, si opsion serb, dhe integrimit të veriut përmes Pakos së Ahtisarit, si opsion kosovar.