Kosovë, ndryshimet në Kodin Penal, jo para janarit
Qeveria e Kosovës edhe zyrtarisht ka iniciuar procedurat e ndryshimit të Kodit Penal duke i hequr nga ky Kod nenet 37, 38 dhe atë 39.
Nisma më e re e qeverisë pasoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për rrëzimin e kërkesës së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për heqjen e neneve tashmë të cilësuara si problematike që kanë të bëjnë me përgjegjësitë penale të mediave dhe gazetarëve.
Ishte vet kryeministri Thaçi ai i cili ishte deklaruar se po ndihej i turpëruar me vendimin e Kuvendit, përderisa zëvendësi i tij dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi kishte dhënë dorëheqje duke mos u pajtuar me këto nene, raporton rel.
Tani, ndryshimi dhe plotësimi i Kodit penal hyn në procedura të rregullta, thotë deputeti Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës.
Një çështje që kërkon interpretime shtesë juridike, mbetet ajo e procedimit të ndryshimeve në Kuvend, marrë parasysh se Kodi i ri Penal hyn në fuqi në janar të vitit 2013.
Deputeti Arsim Bajrami thotë se i takon Komisionit për Legjislacion që të bëjë një interpretim, nëse Kodi mund të ndryshohet para janarit, përderisa nuk ka hyrë në fuqi, apo duhet të pritet hyrja e tij në fuqi e më pas të ndryshohet.
Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka iniciuar tashmë që përmes Avokatit të Popullit ta dërgojë Kodin Penal në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar se nenet 37, 38 por edhe ai 39 janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti thotë se kërkesat e vetme të gazetarëve janë që nenet të hiqen nga Kodi.Kërkesa e presidentes për heqjen e neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal u rrëzua vetëm për dy vota të premten, pasi që nga 61 votat e nevojshme mori mbështetjen e 59 deputetëve. Ata që votuan kundër ishin katër deputet të PDK-së.
Tani, kur janë iniciuar procedura të reja, opozita është deklaruar se do t`i mbështesë ndryshimet në Kodin Penal, vetëm nëse PDK pajtohet që nenet 37, 38 dhe ai 39 të hiqen tërësisht dhe jo të riformulohen, siç kishin insistuar disa nga deputetet ë PDK-së.
Ndryshimet në Kodin Penal në favor të shtypit dhe shprehjes së lirë i ka mbështetur edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.