E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia kërkon mbrojtjen e NATO-s

Turqia i ka kërkuar NATO-s që ta konsiderojë rrëzimin e aeroplanit turk nga ana e Sirisë si një sulm ndaj tërë aleancës.

Nëse miratohet nga të gjithë anëtarët kërkesa për t’u thirrur në nenin 5 të statutit të NATO-s, vendet anëtare do të obligohen që të ndihmojnë në mbrojtjen e kufirit të Turqisë kundër kërcënimeve nga Siria.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bulent Arinch, konfirmoi se Ankaraja ka aplikuar për mbrojtjen e nenit 5.

Arinch tha se Turqia "nuk ka ndërmend që të hyjë në luftë me askënd."

Raportet thonë se siguria është përkeqësuar përgjatë kufirit Turqi-Siri, ku ushtria siriane po hedh granata mbi refugjatët të cilët kanë ikur në Turqi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen, ka premtuar se NATO-ja do “t'i qëndrojë pranë Turqisë” në mes të tendosjeve të rritura me Sirinë, pas rrëzimit të një aeroplani turk në javën e kaluar.

Rasmussen tha se diplomatët e NATO-s që u takuan në Bruksel të martën, nuk kanë diskutuar mbi mbështetjen ose jo në nenin 5 të statutit të NATO-s, i cili do të kategorizonte rrëzimin si një sulm ndaj aleancës në tërësi.

Rasmussen nuk foli mbi detajet e paraqitura nga diplomatët turq në Këshillin Veri-Atlantik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›