Kosovë, nuk ka integrim të veriut pa heqjen e strukturave paralele

Integrimi i veriut në sistemin juridik e kushtetues të Kosovës do të varet nga angazhimi i përbashkët i institucioneve dhe EULEX-it, thonë zyrtarët kosovarë, sipas të cilëve, hapi i parë që duhet ndërmarrë në veri, është heqja e strukturave paralele.Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të kenë një rol më aktiv në angazhimin e përbashkët me EULEX-in për integrimin e pjesës veriore, thonë deputetët dhe zyrtarët e partive politike.Sipas tyre, institucionet vendore do të duhej të jenë aktive dhe jo vëzhguese të veprimeve të EULEX-it në veri, ku misioni ndërkombëtar besohet se do të vazhdojë të ketë rolin parësor, për shkak të rrethanave specifike në këtë pjesë të Kosovës.Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se shtrirja e EULEX-it nënkupton që ky mision të vendosë rregull në portat kufitare me Serbinë, në zbatimin e ligjit për doganat, gjyqësorin dhe shpërbërjen e strukturave paralele. Këto detyra, thotë ai, janë edhe mandati i EULEX-it, ndërkaq një rol aktiv aty, sipas tij, duhet të kenë edhe institucionet kosovare.