Kosovë, përpara
Kosova, e cila shpalli pavarësinë më 17 shkurt, është njohur ndërkombëtarisht nga 43 shtete, përfshirë SHBA-në, shumicën e shteteve të BE-së dhe NATO-s, dhe disa shteteve të Azisë dhe Lindjes së mesme. Serbia dhe Rusia vazhdojnë të angazhohen në drejtim të pengimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, deri më tash me sukses. Por gjërat kanë filluar të ndryshojnë në të mirë të Kosovës, që nga Konferenca e Donatorëve, e mbajtur në Bruksel, duke i ndarë Kosovës 1,2 miliardë euro ndihma, që përveç plotësimit të nevojave të rëndësishme në realizimin e projekteve të ndryshme, do të joshë edhe shumë investitorë të jashtëm, meqë Kosova së shpejti do të bëhet anëtare me të drejta të plota në FMN dhe Bankën Botërore.
Një perspektivë e tillë ka fituar dritën jeshile nga SHBA-ja që është sponsorizuesi kryesor i pavarësisë së Kosovës dhe pranimit të saj. Kjo u duk sheshazi në takimin historik të liderëve të Kosovës: Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi me Presidentin e shtetit më të fuqishëm në botë, Xhorxh W. Bush. Takimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush dhe Sekretares së Shtetit znj. Kondeleza Rajs me udhëheqësit e lartë të Kosovës shënon një ngjarje të jashtëzakonshme dhe me vlera të mëdha historike për shtetin me të ri në botë - Kosovën. Ky takim do të tregojë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për zhvillimet më të fundit në vend, përkrahjen që kjo superfuqi i ofron shtetit më të ri, demokratik e shumetnik në botë. Kjo vizitë flet për një progres të suksesshëm të Kosovës për sa i përket sigurisë e stabilitetit në vend e rajon, si dhe premton që Kosova do të jetë shumë shpejt pjesë e NATO-s, BE-së dhe e të gjitha institucioneve ndërkombëtare.
Kjo frymë e bashkëpunimit po shënon një etapë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, atë të relaksimit të raporteve ndëretnike në Ballkan, pas përfundimit të një lufte të përgjakshme, të imponuar nga Serbia. Kosova, të cilën e futi nën sqetull SHBA-ja, po shënon ngritje të theksuar të partneritetit me BE-në, SHBA-në dhe mekanizmat e tjerë të rëndësishëm: FMN-ja, Banka Botërore, duke u angazhuar në drejtim të plotësimit të kushteve për anëtarësim në BE dhe në NATO, në një të ardhme të afërt.
Etapa e re në marrëdhëniet SHBA - Kosovë filloi me angazhimin e ish-Presidentit amerikan Bill Klinton, i cili frymëzoi aleancën politiko-ushtarake të NATO-s më 1999 kundër gjenocidit të egër serb të Millosheviçit në Kosovë. Lufta e shqiptarëve të Kosovës dhe përkrahja e NATO-s solli shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Presidenti i nderuar Xhorxh W. Bush e ka vënë në qendër të politikës së tij përkrahjen dhe ndihmën për shtetin e ri e të pavarur të Kosovës. Një sërë nismash dhe vendimesh janë marrë nga SHBA-ja me fjalën dhe mendimin e Presidentit Bush. Këtu përfshihet armatosja e Kosovës, organizimi i tryezës së donatorëve, që tejkaloi edhe parashikimet më optimiste.
Zeniti i marrëdhënieve të shkëlqyera Kosovë-Amerikë kulmoi më 21 korrik 2008, po atë ditë kur Bushi takoi për herë të parë në zyrën ovale udhëheqësit e Kosovës: Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, me të cilët shtrëngoi duart shumë miqësisht. Ishte ky një lajm i gëzuar që i bëri të lumtur të gjithë shqiptarët e sidomos ata në SHBA. Është ky një pranim i rëndësishëm i miqësisë shqiptaro-amerikane, që kurorëzoi projektin e jashtëzakonshëm të pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i SHBA-së, Xhorxh W. Bush, i premtoi Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi, në takimin e të hënës, se ai do të përpiqet që të bindë më shumë shtete të përqafojnë lidhjet diplomatike me shtetin e ri të Kosovës. "Unë u zotova se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me ato shtete të cilat ende nuk e kanë pranuar Kosovën e pavarur, që t'i bind ato të bëjnë njohjen sa më shpejt që është e mundur", - u tha Bushi reporterëve. Ai foli se është takuar në zyrën ovale me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, të cilët bënë vizitën e parë në SHBA si liderë të Kosovës së pavarur. "Unë jam përkrahës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës. Unë jam kundër çfarëdo copëtimi të Kosovës", - tha Bushi. "Unë çmoj kurajon tuaj, unë çmoj lidershipin tuaj dhe jam zotuar që SHBA-ja t'ju ndihmojë të realizoni ëndrrat tuaja". Presidenti amerikan ripërtëriu gjithashtu mbështetjen e tij që Kosova t'i bashkëngjitet aleancës së NATO-s dhe BE-së, gjithashtu.