Akademia e Arteve dhe e Sporteve. Në konkurrim rreth 728 kandidatë për studentë
Rreth 728 maturantët që kanë zgjedhur të konkurrojnë në degët e Akademisë së Arteve (AA) dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” (AEFS), i janë nënshtruar dje konkursit.
Në bazë të kuotave të miratuara nga Këshilli i Ministrave, rezulton se në degët universitare të arteve do të pranohen rreth 232 studentë të rinj, ndërsa në AEFS do të regjistrohen për vitin e ri akademik rreth 150 studentë.
Sipas drejtuesve të Akademisë së Arteve, rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind, ndërsa në Akademinë e Sporteve ky raport do të jetë 30 me 70 për qind.
“Konkursi në Akademinë e Arteve, me 404 kandidatë për studentë, nisi ditën e martë dhe pritet të mbyllet me datë 26 korrik. Numri më i madh i kandidatëve evidentohet në degën e pikturës, degë e cila do të pranojë 50 studentë të rinj këtë vit”, - u shpreh Petrit Malaj, rektori i AA-së. Sipas tij, kandidatët fitues do të shpallen menjëherë pas përfundimit të konkursit.
Vejsel Risvanolli, rektori i AEFS-së, tregoi se në këtë akademi do të konkurrojnë deri më datë 24 korrik 324 kandidatë për studentë. Ai tha se kandidatët për studentë në Akademinë e Sporteve do të përballen me disa kritere në konkurrim, ndër të cilat dhe gjendja shëndetësore e tyre. Sipas burimeve të Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, kriteret kryesore do të përmblidhen në një kartelë individuale, që do të përmbajë kërkesën për gjashtë vizita dhe kontrolle mjekësore.