Shehu: INSIG, brenda vitit privatizohet
Kompania e sigurimeve INSIG brenda vitit 2008 do të privatizojë aksionet e mbetura ende në pronësi të shtetit shqiptar. Kjo është garantuar dje nga zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili deklaroi se privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG do të përfundojë brenda vitit 2008. Sipas tij, shpallja për privatizimin e kësaj kompanie është publikuar në gazeta ndërkombëtare prestigjioze, ndërkohë që kompania audituese KPMB, po teston gjendjen e aseteve në këtë kompani dhe mbi bazën e kësaj përllogaritjeje do të përcaktohet edhe vlera për privatizim. Procedurat për shitjen e kompanisë së sigurimeve është shtyrë dy herë. Hera e dytë kur qeveria vendosi të shtyjë këtë proces ka qenë marsi i këtij viti. Projektligji i qeverisë për shtyrjen e afatit të privatizimit të INSIG-ut është miratuar në muajin mars të këtij viti. Procesi i shitjes ka nisur që në vitin 2003, por deri tani ka dështuar për shkak të mungesës së interesit. Në fillim të këtij viti u miratua projektligji i ndryshuar “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG, sh.a.". Sipas këtij vendimi, 61 për qind e aksioneve u ofrohen për shitje investitorëve strategjikë, të cilët përzgjidhen në bazë të procedurave të përcaktuara nga Ministria e Financave me tender të hapur ndërkombëtar, brenda datës 31 dhjetor 2008. Një komision i posaçëm ka punuar prej kohësh për të hartuar draftin e formulës së privatizimit kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve, INSIG. BERZH dhe INF, të cilët janë aksionerë të kompanisë INSIG, që zotërojnë nga 19.5% të aksioneve secila, kanë miratuar këtë komision. Dy bankat ndërkombëtare kanë luajtur rolin e vëzhguesit dhe këshilluesit në këtë proces. Kompania shtetërore e sigurimeve është themeluar në vitin 1991 dhe prej shumë vitesh ka qenë lider në këtë treg, ndërsa tani ai renditet i treti me rreth 17% të tregut të sigurimeve.