Kosovë, përurohet “Rruga e Kombit”, bashkohen Berisha, Thaçi e Jahjaga
Segmenti i parë i autostradës Morinë-Merdare është vazhdim i autostradës Durrës-Morinë, nga pika kufitare Morinë dhe përfundon në dalje të Suharekës
TIRANË Hapet drita jeshile për segmentin e parë të autostradës Morinë-Merdare, pjesë e arteries infrastrukturore të njohur si “Rruga e Kombit” Durrës-Morinë-Prishtinë. Në ceremoninë e përurimit të 38 kilometrave të para të rrugës Morinë-Merdarë, kryeministri Sali Berisha u bashkua në Vermicë (rreth një kilometër nga pika kufitare e Morinës), me Presidenten e Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga, Kryeministrin Hashim Thaçi, kongresmenin amerikan, Eliot Engel dhe së bashku prenë shiritin e inaugurimit të përfundimit të 38 kilometrave të para. Ky segment është vazhdim i autostradës Durrës-Morinë, nga pika kufitare Morinë dhe përfundon në dalje të Suharekës, ku lidhet me rrugën magjistrale Prizren - Prishtinë, për të vazhduar deri në Merdare. Autostrada do të quhet "Ibrahim Rugova", në nderim të Presidentit Rugova, të cilin Kryeministri Berisha në fjalën e tij e quajti "arkitekt të Kosovës së pavarur". “Kjo është një rrugë me domethënie të madhe. Ajo shënon një agim të ri të vërtetë politik, ekonomik, social për Kosovën. Është rruga, me të cilën Republika e Kosovës kontribuon për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Është rruga, me të cilën Republika e Kosovës investon për të ardhmen e shkëlqyer europiane të qytetarëve të saj. Është rruga e zhvillimit të shpejtë të Kosovës, e fluksit të pashtershëm të energjisë së tregut të saj drejt perëndimit. Është rruga e sigurisë më të madhe të udhëtimit të qytetarëve të saj”, - tha dje Berisha gjatë ceremonisë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi nga ana e tij se ndërtimi i autostradës është një investim strategjik për zhvillimin e Kosovës. Thaçi theksoi se “projekti për ndërtimin e autostradës ndan epokat, është projekti i shekullit të ri, të lirisë, pavarësisë dhe integrimit". "Ka kaluar një dekadë që kur kemi kaluar mbi tela me gjemba e kufij të ndarë dhe për këtë ditë që shohim sot është bërë luftë e gjatë, por sot ëndrra po bëhet realitet. Kjo është autostrada e jetës së re dhe e qytetarëve që hap kufijtë dhe thyhen barrierat e së shkuarës, duke hapur një horizont më shumë për qytetarët”,- u shpreh Thaçi. Nga ana e saj, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi se “Rruga e Kombit” është një ëndërr që bëhet realitet. Sipas Jahjagës, Kosova dhe Shqipëria po shkurtojnë distancat. “Kjo rrugë është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe shteteve. Është lidhja jonë me korridoret e rëndësishme europiane. Politikat e koordinuara do të na bëjnë anëtarë të lirë e të barabartë të Bashkimit Europian”, - tha ajo.
Berisha
“Kjo është një rrugë me domethënie të madhe. Ajo shënon një agim të ri të vërtetë politik, ekonomik, social për Kosovën. Është rruga, me të cilën Republika e Kosovës kontribuon për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Është rruga, me të cilën Republika e Kosovës investon për të ardhmen e shkëlqyer europiane të qytetarëve të saj”
Thaçi
“Ka kaluar një dekadë që kur kemi kaluar mbi tela me gjemba e kufij të ndarë dhe për këtë ditë që shohim sot është bërë luftë e gjatë, por sot ëndrra po bëhet realitet. Kjo është autostrada e jetës së re dhe e qytetarëve, që hap kufijtë dhe thyhen barrierat e së shkuarës duke hapur një horizont më shumë për qytetarët”