Meta: Procesi i integrimit, peng i mosvotimit të ligjeve me 3/5-at
TIRANË Në ceremoninë e anëtarësimit të 100 anëtarëve të rinj të LSI-së në komunën e Kasharit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh se partia që ai drejton është një forcë politike që i shërben integrimit evropian të vendit. “Ne jemi për t’i shërbyer integrimit evropian të vendit. Që t’i shërbesh integrimit evropian të vendit do të thotë që t’i shërbesh stabilitetit, do të thotë t’i shërbesh mirëqenies dhe së ardhmes së gjithë qytetarëve...”, - tha ai. Meta theksoi se LSI-ja është një forcë politike që është luftuar padrejtësisht nga parti të tjera, të cilat kanë dashur të kenë monopolin e jetës politike. “Tani, eksponentë të Partisë Socialiste thonë që kanë bërë gabim atëherë me ndryshimet kushtetuese. Kanë bërë gabim atëherë sepse nuk u kanë dalë llogaritë sot. Nuk mund të ndryshohet për 2 orë një kushtetutë që populli e ka votuar me referendum dhe me një procedurë shumë të gjatë. Nuk është se jemi kthyer ne mbrapa. Të tjerët janë kthyer pas, tek qëndrimet që ne kemi pasur dhe ne jemi koherentë në qëndrimet tona. Ne jemi për t’i shërbyer integrimit evropian të vendit”, - tha Meta. Për pasojë ai shtoi se procesi i integrimit ka 2 vite që nuk ka ecur përpara vetëm sepse kryetari i PS-së, Rama nuk ka pranuar miratimin e disa ligjeve me 3/5-at. “Këtu bëhet fjalë për ligje që ndihmojnë biznesin, siç është ligji për Gjykatën Administrative. Bëhet fjalë për ligje që u shërbejnë të gjithëve. Përmenda disa nga këto elementë për të theksuar që alternativa jonë është një alternativë e cila qëndron gjithmonë me këmbë në tokë, që synon t’i shërbejë vendit, komunitetit, njerëzve dhe anëtarëve dhe simpatizantëve tanë. Ne kemi treguar që jemi të angazhuar për t’i përkrahur anëtarët tanë dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, - tha ai.