Kosove, policia merr nen mbikeqyrje kishat ortodokse

Prishtinë, 28 shkurt, 15:39 NOA/ E - Policia e Kosovës ka marrë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e kishave ortodokse serbe në Kosovë.
Deri më tani kjo ishte punë e agjencive private për siguri. Ndryshimi i sistemit të sigurimit në më shumë se 10 kisha në Kosovë është bërë me vendim të Qeverisë së Kosovës, ashtu sikurse parashihet me Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe fetare, thonë në Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës e ka marrë përsipër sigurinë jo vetëm në kishat ortodokse, por në shumicën e objekteve kulturore dhe fetare, pas nxjerrjes së ligjit”, tha për Express, Arbër Beka, zëdhënës i policisë.
Kjo gjë parashihet edhe në Planin e Ahtisaarit. Burime të Kishës Ortodokse në Kosovë i kanë agjencisë B92 se sigurimi ka ndryshuar në kishat e rajonit të Prizrenit, mes të cilave tri janë në Rahovec dhe tri në Suharekë, ndërkohë që manastiret më të vjetra të Mesjetës në Kosovë edhe tutje do të mbesin nën sigurinë e KFOR-it, dhe se ndryshimi i regjimit të ruajtjes s’ka të bëjë me ta.
“Manastiret si ai i Deçanit, Graçanicës, Patrikanën e Pejës etj., edhe më tutje do t’i ruajnë ushtarët e KFOR-it”.
Sipas këtyre burimeve, policia ka nisur sigurimin e kishave dhe manastireve të renovuara, “shumica prej të cilave janë dëmtuar apo rrënuar gjatë trazirave të 17 marsit 2004”. Në Prizren, për këtë qëllim, thuhet se janë angazhuar 40 policë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi Beka tha për Express se edhe për kishat, të cilat aktualisht janë duke u ruajtur nga KFOR-i, do të diskutohet shumë shpejt bartja e përgjegjësive të policia e Kosovës.
Peshkopi i Eparkisë së Rashkës dhe Prizrenit, Artemije, u ka thënë medieve serbe se është i befasuar me këtë vendim. Sipas tij, me ndryshimin e sigurimit praktikisht ka nisur implementimi i Planit të Ahtisaarit, respektivisht pikës e cila i referohet raportit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë.
Por ai ka thënë se pa dijeninë, pajtimin dhe lejen e Kishës Ortodokse, kjo nuk mund të bëhet. “E ne, askush s’na ka pyetur, apo konsultuar, madje as informuar”, citohet të ketë thënë peshkopi Artemije.
Sipas peshkopit serb, për një rikthim të tillë lidhur me sigurimin e kishave është përgjegjës EULEX-i, për të cilin Serbia dha leje, por me kusht që ta mos implementojë Planin e Ahtisaarit. “Nëse është e vërtetë se ekziston një vendim i tillë, atëherë përfaqësuesit tanë të autoriteteve duhet të vendosin çështjen e qëndrimit legjitim të EULEX-it në Kosovë”, është shprehur ai.
NOA/Me burime të cituara në shkrim