E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i Hagës legjitimon të drejtën e Kosovës

Prishtinë - Partia Reformiste ORA në një konferencë shtypi theksoi sot se mirëpret vendimin e Gjykatës së Hagës për dënimin e përfaqësuesve të lartë të kohës së Millosheviçit, duke vlerësuar se "ky vendim legjitimon luftën e drejtë mbrojtëse të Kosovës dhe ndihmën e drejtë ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës". "Kjo është hera e parë që gjykohet dikush nga institucionet e Serbisë për krimet e bëra në Kosovë gjatë kohës së luftës. Ndonëse ky vendim nuk mund t'i sjellë në jetë anëtarët e humbur të familjarëve të viktimave, së paku është një sadisfaksion moral për ata. Sadisfaksion ky jo i plotë, pasi kreu i shtetit përgjegjës për gjenocid nuk u dënua”, theksoi ORA, parti joparlamentare e udhëhequr nga Teuta Sahatçija.

Sipas saj, "modifikimi i balancës etnike në Kosovë' dhe 'ndërmarrja e përbashkët kriminale' - arsyet në aktgjykimin me të cilin janë dënuar pesë përfaqësues të kohës së Millosheviçit e vërtetojnë ekzistencën e planit shtetëror për qëllimin dhe orvatjen për spastrim etnik, të gjenocidit dhe të një lufte të organizuar nga institucionet shtetërore me qëllim të përcaktuar, me mjete të përcaktuara dhe me hierarki të përcaktuar".

Ora vlerëson se "është me rëndësi që ky vendim ka ardhur në kohën kur pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe në kohën kur është ngadalësuar ritmi i njohjeve" dhe pritet që "kjo të ndikojë pozitivisht në të dy aspektet".

"Ky vendim duhet të jetë edhe sinjal për shtetin e Serbisë që të largohet nga politika gjenocidale e Milosheviçit, dhe të nis ta shikojë Kosovën si shtet fqinj, me të cilin medoemos duhet të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore. Gjithashtu për serbët e Kosovës që të ballafaqohen me të vërtetën dhe të nisin ta shohin Prishtinën si kryeqytet të tyre dhe të nisin integrimin në shoqërinë kosovare", theksoi Sahatçija.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›