E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, qentë e policisë hanë rreth 30 mijë euro

PRISHTINE - Qentë e Policisë së Kosovës kanë zënë vend të posaçëm në buxhetin e Kosovës. Për 24 muaj ata do të hanë ushqim në vlerë prej 28 mijë e 520 euro. Policia e Kosovës ka shpallur fituesin që do të ushqejë qentë me ushqime.

Fillimisht, iniciativa e parë për këtë tender pati dështuar, por në iniciativën e dytë, në një garë prej pesë kompanive tenderin e ka fituar :“B&H “ENGINERING” nga Prishtina. Policia dhe kotraktori do të lidhin kontratë me 22 korrik.

Por, të njëjtin fat nuk e kanë pasur edhe këlyshët. Kjo ngase pjesa e dytë e tenderit “Furnizim me ushqim për këlyshët-ri tenderim”, është anuluar në mungesë të dy ofertuesve të përgjegjshëm.

Ushqimi i qenve do të dorëzohet në bazën “Zona Industriale në Fushë Kosovë”.

Policia e Kosovës para dy ditësh ka hapur tender edhe për “Shërbime veterinare për qentë e PK-së”.

Policia ka shpenzuar rreth 80 mijë euro për të blerë qen.

Para pak ditësh zyra e prokurimit e Policisë, e ka përzgjedhur kompaninë kroate, si fituese të tenderit për furnizim me qen për nevoja të njësisë policore “K9”, ku vlera e tenderit është 79 mijë e 800 euro. 

(er.nu/indeks/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›