Kosovë, qeveria me 138 këshilltarë politikë
PRISHTINE- Kosova do të ketë 138 këshilltarë politikë, të cilët do të akomodohen vetëm në Qeveri dhe do ti tregojnë kryeministrit, zëvendësve të tij dhe ministrave se cilat politika janë në vijë me partitë prej nga vijnë. Rreth një milion euro të buxhetit do të marrin ata gjatë një viti.
Numri i këshilltarëve politikë për mandatin e ri qeverisës do të jetë më i madh, sesa i atyre që kanë shërbyer gjatë mandatit paraprak. Kjo për shkak të rritjes së numrit të dikastereve qeveritare dhe numrit të këshilltarëve për bartës dikasteri.
Lajmi publikohet sot ne “Koha Ditore” , e cila shkruan “bazuar në Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe të ministrive, kryeministri mund të emërojë deri në 12 këshilltarë politikë që paguhen nga Buxheti i Konsoliduar, zëvendëskryeministrat, që mbulojnë ministri dhe ata që nuk mbulojnë asnjë ministri mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë, po kaq sa mund të emërojnë edhe ministrat”.
Në 138 do të mbërrijë numri i këshilltarëve, ngaqë, për dallim nga mandati i shkuar, kur kishte vetëm dy zëvendëskryeministra, tash ka gjashtë, kurse numri i këshilltarëve që mund të kenë ministrat është rritur nga pesë në gjashtë.