Kosovë, rezolutë për fundin e pavarësisë së mbikëqyrur

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, me të cilën zotohet se do ti përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit, në mënyrë që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë të përfundojë në fund të këtij viti.
Rezoluta është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur nga të gjitha subjektet, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.
Për miratimin e rezolutës kanë votuar 83 deputetë, 13 ishin kundër, kurse 1 abstenoi.
Teksti i harmonizuar i rezolutës është lexuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
Rezoluta e lexuar nga deputeti Grabovci fton edhe Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë për të kompletuar zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe fillimin e ndryshimeve kushtetuese për bartjen e përgjegjësive nga Zyra Civile Ndërkombëtare tek institucionet e Kosovës.
Rezoluta është mbështetur nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se me këtë vendim, Kuvendi po miraton përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe fillimin e pavarësisë së plotë të Kosovës. /REL/