Kosovë, shtetet e Quint-it mbështesin kontrollin në Veri

Pak orë para nisjes së implementimit të planit të qeverisë së Kosovës për Veriun, aleatët e mëdhenj të Kosovës, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia kanë takuar kryeministrin Thaçi për t`i dhënë përkrahjen për 16 shtatorin. Ambasadorët përsëritën mbështetjen e qeverive të tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
Ambasadorët kanë shprehur mirënjohjen e tyre për mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me partnerët e saj ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in dhe EULEX-in, gjatë përgatitjeve për zbatimin e procedurave të reja doganore që fillojnë më 16 shtator.
Ambasadorët po ashtu kanë inkurajuar qeverinë që të vazhdojë këtë bashkëpunim për të konsoliduar autoritetin e Kosovës në porta gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare.
“Po ashtu, ata kanë mirëpritur dhe mbështetur deklaratat e dhëna dje nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Fernando Gentilini dhe Shefi i misionit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe shprehën mbështetjen e tyre për pritjet se tash mund të hiqen embargot për tregti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke hapur shtegun për përparim të mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në një njoftim të qeverisë së Kosovës.