E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, s’ndalet kontrabanda në veri, serbët përdorin rrugët dytësore. Doris Pack: Beogradi vazhdon të ushqehet me filozofinë e dhunës, larg BE-së

31-07-2011 / Gazeta 55

Organizatorëve të bllokadave të rrugës në afërsi të fshatit Rudare nuk u ka bërë përshtypje thirrja e komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler, bërë të premten, se herën tjetër ka për të provuar ta çajë bllokadën me dhunë. Ata tani po këndojnë e po hedhin valle në rrugë. Të shtunën, kur KFOR-i kishte vendosur që të mos provojë që të heqë bllokadën, të kapur dorë për dore me njëri-tjetrin e me flamuj të Serbisë, serbët kanë vallëzuar e kënduar bash sikur çdo gjë të ishte në kulmin e normalitetit. Kryetari i të ashtuquajturit Qarku i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, ka thënë se serbët nga veriu nuk do të heqin dorë nga postblloqet dhe KFOR-i, sipas tij, nuk do të lejohet që të lëvizë në drejtim të kalimit në Jarinje dhe Bërnjakë, citon sot Koha Ditore. “Pavarësisht kërcënimit të KFOR-it për të përdorur forcën për thyerjen e barrikadave, ne nuk do t’i ndalim protestat”, ka thënë Nedelkoviq. “Nuk do të lejojmë askënd që të lëvizë në drejtim të kalimit në Jarinje dhe Bërnjakë”. Pos këngëve e valleve, strukturat paralele në veri të Mitrovicës të shtunën kanë formuar edhe “Shtabin e Krizës”. Gazeta ka mësuar se ky shtab ka urdhëruar banorët e Mitrovicës që në barrikadë të kujdestarojnë me orar e në të njëjtën kohë ky shtab ka urdhëruar banorët serbë të veriut të Mitrovicës që t’u dalin në ndihmë banorëve të Zveçanit dhe fshatit Rudare duke qëndruar në barrikada me qëllim që të mos lejojnë kalimin e KFOR-it dhe forcave të tjera të sigurisë ndërkombëtare dhe vendëse. “Sipas urdhrit, gratë janë të obliguara që të kujdestarojnë nga 4 orë në barrikadën e Rudares, ndërsa meshkujt për 6 orë”, ka treguar një burim i gazetës.


Kontrabanda, dyshime për trafik armësh përmes rrugëve dytësore


“Mbrojtja territoriale”, njëri nga organizimet e strukturave paralele, ka ndërmarrë një aksion me qëllim që të hapen rrugët për lëvizje të mallrave dhe armëve për nevoja të popullatës serbe në veri të Kosovës. Bëhet me dije se të shtunën janë vërejtur shumë automjete me mallra duke u futur në Kosovë nga dy rrugë dytësore, të cilat lidhen me qytetin e Novi-Pazarit në Serbi. “Janë parë automjete me mallra nga Serbia, duke hyrë në Llukar, që është në territorin e Kosovës, për të kaluar në Zherevnicë dhe për të përfunduar në Zveçan”- thonë burimet. “Po ashtu janë vërejtur automjete me mallra duke hyrë në Tresan, pastaj në Rvatska dhe në Leshak të Komunës së Leposaviqit”. Koha Ditore raporton se qytetarë të Mitrovicës kanë njoftuar se përveç kontrabandimit të mallrave ushqimore këtu po bëhet edhe futja e municioneve dhe armatimeve për nevojat e grupeve të armatosura serbe që janë duke vepruar në veri të Kosovës. Mirëpo në Policinë Kufitare të Kosovës kanë thënë që të mos kenë informacione për sa u përket kalimeve të mallrave nëpër rrugë dytësore. “Nuk kemi informacion, sepse ju e dini tashmë se çfarë gjendje është tani, tash atje është edhe KFOR-i dhe ne nuk kemi informata të tilla. Mirëpo nuk ka mundësi, sepse nëpër rrugë dytësore nuk ofrojnë mundësi ku mund të kontrabandohen mallra në sasi të mëdha”, ka thënë komandanti i Policisë Kufitare, Shaban Guda. Reagim i Doris Pack, eurodeputetja gjermane


“Konflikti në kufi që shpërtheu ditët e fundit mes Serbisë dhe Kosovës, flet qartë për praninë e strukturave mafioze në rajon”- thotë eurodeputetja dhe ekspertja për Ballkanin, Doris Pack. Duke e komentuar deklaratën e kryeministrit kosovar Hashim Thaçi që e bëri përgjegjës Beogradin për shkallëzimin e situatës në kufi, Pack, në një intervistë për Deutschlandfunk që e transmeton DW, ka thënë: “Nëse me Beogradin Thaçi ka parasysh qeverinë serbe, atëherë nuk jam e këtij mendimi. Por nëse ka parasysh organizatorë në Beograd, atëherë e besoj”. E pyetur ndërkaq, se për çfarë njerëzish mund të bëhet fjalë, Pack është shprehur: “Këta janë njerëz të cilët kanë interes që Mitrovica të mbetet ashtu si është tani. Pra si një vatër për kontrabandë dhe për shumë mundësi për të fituar para në rrugë të paligjshme”. Eurodeputetja mendon se serbët në veri të vendit mund të afrohen me shtetin e Kosovës, duke e parë se si jetojnë serbët në jug të vendit, duke e parë se mund të jetohet edhe në paqe. “Dhe kjo mundësi duhet t’u mbahet atyre gjithnjë para syve”.  Por kjo, sipas saj, nuk është e mundur pasi atje është gjithnjë i pranishëm ndikimi nga Beogradi dhe pikërisht ato struktura mafioze, kujdesen që të dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të mos vihen nën kontrollin e EULEX-it dhe policisë së Kosovës. “Në policinë e Kosovës janë të punësuar serbë, serbë nga Kosova! Pra janë njerëzit e tyre të cilët ata kërcënojnë. Dhe unë mendoj se këtu BE dhe para së gjithash bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjnë më fort. Beogradit i duhet thënë se kështu nuk shkon!”, tha ajo. “Nuk mund të kërkohet tani falje dhe të thuhet se nuk kanë gisht në incidente, kur prej vitesh bëhen përpjekje për të penguar atje ato struktura, që mund ta mbajnë të bashkuar Kosovën”. Pack ka kritikuar Bashkimin Evropian por edhe bashkësinë ndërkombëtare se për 10 vjet rresht i kanë mbyllur sytë para zhvillimeve në veri. Sa i përket çështjes nëse Serbia do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës, Pack ka thënë se, herët apo vonë Beogradi nuk do të ketë zgjidhje tjetër. “Ai të paktën duhet të kujdeset që të ketë marrëdhënie të mira me këtë vend, pasi kur nuk ke marrëdhënie të mira me fqinjët, nuk mund të hysh në BE”. “Pra ky është një kusht që Serbia duhet ta përmbushë, por kështu si veprohet aktualisht nuk mund të vazhdohet. Unë nuk mund të them nëse kjo mund të bëhet përmes njohjes direkte vitet e ardhshme, apo përmes rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi, që ka filluar tani. Por e përsëris: marrëdhëniet e mira me fqinjët janë kusht për anëtarësimin në BE”. E pyetur nëse presidenti Tadiq do të jetë i gatshëm për kompromise me Kosovën, Pack ka vlerësuar se ai do të jetë i gatshëm, por jo qeveria që ai drejton dhe forcat në Beograd, që në të vërtetë janë më të forta se ai.


Koha Ditore

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›