E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, sulmohet me armë patrulla e policisë në veri

MITROVICE - Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj patrullës së Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të Kosovapress.

Ngjarja ka ndodhur pas mesnate në Lagjen e Boshnjakëve. Mësohet se përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga plumbat në automjetin e policisë, fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz.

Ngjarjen e ka konfirmuar për Kosovapress edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, i cili konfirmoi se asnjë nga policët nuk është lënduar.

“Persona të panjohur kanë shtënë në drejtim të automjetit të policisë që ishte në pikën statike tek Lagja e Boshnjakëve. Nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa nga një plumb është dëmtuar parafango e automjetit”, - u shpreh Hoti, duke shtuar se hetimet rreth kësaj ngjarje janë në proces.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›